Të rejat vijnë si turiste në Shqipëri, por gjejnë në vendin tonë tregun për të ushtruar prostitucion. I tillë ishte rasti edhe i Darjana Linares dhe shoqëeve të saj, të cilat kishin ardhur nga Venezuela, Kolumbia dhe Spanja, por aktualisht janë proceduar për prostitucion nga Policia e Durrësit. ”Strofka” e tyre u zbulua pasi 22-vjeçarja u hodh nga dritarja, duke përfunduar fatmirësisht mbi tendën e një lokali poshtë pallatit ku kishin marrë një shtëpi me qera. Më shumë detaje janë zbuluar nga dosja e Prokurorisë së Durrësit.
Në dosjen e prokurorisë, siguruar nga “Euronews” thuhet vajzat kanë dëshmuar se kanë mbërritur në Shqipëri më 5 shkurt të këtij viti dhe e kanë pranuar që ofrojnë shërbime seksuale përkundrejt pagesës. Por gjithashtu shtuan se punojnë si “të pavarura” dhe se nuk menaxhohen nga askush. Të gjitha të ardhurat që fitojnë nga ‘profesioni’ i tyre, deklaruan se ua dërgonin familjeve të tyre. Por përveç prostitucionit, një prej tyre akuzohet edhe për përshtatje të lokaleve për përdorim droge, pasi në banesën që kishin marrë me qira u gjet një sasi kokaine.
Megjithatë të gjitha do të hetohen në gjendje të lirë ndërsa prokuroria u ka sekuestruar pasaportat dhe një leje qëndrimi që kishte një prej shtetaseve deri në përfundimin e hetimeve, ku do të përballen me akuzat për të cilat do të duhet që të vuajnë dënimin. Si to, Gazeta zbuloi se ka edhe qindra të tjera që hyjnë në Shqipëri si turiste, por që operojnë si eskorta me çmime që nisin nga 150 euro për gjysmë orë. Më pas, në bazë të “shërbimeve”, varion edhe kostoja e tyre.