Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur medias greke “Kathimerini” e cila më herët raportoi se ministri grek, Nikos Dendias nuk ishte i ftuar në inaugurimin e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë.
Ministria thotë se Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s teksa hodhën poshtë pretendimet e gazetës greke.
Ministria e Mbrojtjes thotë se “jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike”.
“Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë. Me të njëjtën qëllim, më 29 janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inaugurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës. Më 14 shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni. Jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike”.