Drenusha Latifi, ish-mis Kosova, pak ditë më parë në një rrëfim të rrallë dhe tepër të guximshëm tregoi për herë të parë dhunën që ajo kishte përjetuar kohë më parë nga ish-partneri i saj.
E ftuar në emisionin “Zona Zero”, me moderator Milaim Zekën, Latifi tha se rrëfimi i saj nuk është vetëm për të kaluarën, por se shpreson që të jetë një shembull për të gjitha gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë në familje, dhe që e kanë tepër të vështirë të shpëtojnë nga kjo dhunë.
“Dhuna ka filluar rreth 3 vite pas lidhjes. Është shumë e vështirë me u largu prej këtyre njerëzve. Është thuasje e pamundur. Unë mund të flas gjithë ditën për këtë, dua të jem një mbështetje për gratë e tjera, se si mundet me e përballu këtë situatë, se si mundet me u largu prej kësaj situate. Dhunuesit nuk duken, përkundrazi, ata janë shumë manipulues dhe mundesh shumë lehtë me rënë pre e dhunës së tyre.
Vitin kur e kam takuar ish-partnerin tim, kam qenë në kulmin e karrierës. Dhe nuk është se karriera ka qenë primare për mua, kam patur qëllim të ndërtoj edhe një familje në Suedi”, tha Drenusha Latifi në Top News.
Emisioni Zona Zero në Top News
Zeka e pyeti Latifin se cilat ishin shenjat e para që ish-partneri i saj ishte i dhunshëm, duke zbuluar se ai më herët kishte dhunuar gruan e tij të parë, një shtetase serbe.
“Burri yt ka një të kaluar kriminale, pasi ka patur dhe një ish partnere nga Beogradi, të cilën po e ka dhunuar. Kur e keni kuptuar ju? Kur kanë qenë shenjat e para?”, e pyeti Zeka, ndërsa Latifi dha këtë mesazh:
“Ai shumë pak më ka treguar për të, më ka thënë që e ka prek njëherë. Ai nuk ta jepte përshtypjen që ky mund të ishte dhunuesi. Më e keqja ka qenë që unë e kam përkrahur, është shumë e dhimbshme për një femër që beson se ajo e bën duke gënjyer. Justifikimi i tij ka qenë patriotik, me që ajo ka qenë serbe. Në 2013-ën ky ka qenë në burg në Norvegji, për një vepër që e ka kryer aty, dhe unë me këmbëngulje kam insistu mos me u bë publike ajo çka ka ndodh. Sot e mendoj se këtu nisin gabimet, femra mendon jo vetëm për vete, por për opinionin e gjerë”.