Një i dënuar, denoncoi në Top Channel përmes një telefonate me gazetaren Anila Hoxha, se Sokol Mjacaj kishte sulmuar me armë dy të burgosur. Një personazh mjaft i rrezikshëm që bën bujë sa here i përmendet emri, nisur nga krimet brutale që ka kryer. Ai, kishte vrarë një fëmijë 13-vjeçar për një grabitje ordinere. Sapo ishte liruar, u mori jetën 2 turistëve çek në vitin 2015 sërish për ti grabitur.
Raportimet e para ishin të mjegullta dhe mjaft kontradiktore. Fillimisht mediat u informuan se nuk ka pasur viktima dhe situata ishte nën kontroll. Por, e vërteta ishte se Arben Lleshi u konfirmua i vdekur pak pas orës 14:00. Ajo që bën përshtypje është fakti se drejtuesit e burgut të Peqinit, u përpoqën të fitojnë kohë duke mos i dhënë informacion as policisë. Kjo rezulton në dosjen hetimore që ne kemi analizuar të plotë.
Nga përmbajtja e dokumentit ‘Regjistri i Marrjes dhe Dhënies së Informacionit’ të Sallës së Komandimit dhe Kontrollit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan rezulton se më datë 15.12.2023, në orën 14:30 është bërë shënimi ‘ kërkon informacion për ngjarjen në burgun e Peqinit. U lidhëm me sallën e burgut dhe nuk na japin asnjë informacion’”.
Ky informacion dhe detaje të tjera, ngritën mjaft dyshime për punonjësit e burgut që në momentet e para. Ishte realizuar një plan perfekt që konsiderohej i pamundur në një burg të sigurisë së lartë si ai i Peqinit.
‘Informacionet janë për bashkëpunim patjetër me punonjës të burgut të cilët kanë toleruar, bashkëpunuar apo neglizhuar’, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
‘Hipoteza dhe dyshimi qëndron, mungon prova. Në këtë ngjarje pranohet çdo hipotezë e dyshim, dhe është ngjarje me shumë të panjohura, ajo që dihet është vetëm ekzekutori’ u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog
Zbulohet dëshmia e plotë e Sokol Mjacajt, kush janë VIP-at e krimit me të cilët kishte krijuar afrimitet
Ngjarja, kishte kohë që planifikohej dhe dyshohet se ka të implikuar personazhe të fuqishëm të botës së krimit me lidhje të rëndësishme në nivele të larta.
Por, çfarë ndodhi atë ditë…?
Mjacaj: “Kur kisha dalë për ajrosje më thërritën të burgosurit e tjerë të sektorit, shtetasit Kastriot Jaupi, Ilir Çekrezi, Arbër Çeka dhe të tjerë që nuk i mbaj mend të gjithë dhe më treguan që kishin parë në lajme që mua do më transferonin në regjimin e posaçëm 41 BIS. Sapo dëgjova këtë u acarova shumë që këtë të keqe e kisha nga Arben Lleshi”.
Me sa duket, Mjacaj kishte krijuar shoqëri të rëndësishme në burg. Personat që e kishin informuar, janë emra të konsideruar VIP në botën e krimit. Kastriot Jaupi përbën një prej emrave më të frikshëm të bandave të Beratit. Ai është dënuar për vrasjen e dëshmorit të atdheut Ilir Ngresi. Arbër Çeka, është dënuar për trafikimin e 612 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në portin e Durrësit. Ndërsa Ilir Çekrezi, është dënuar për vrasjen e krushkut të familjes së bashku me babain e tij. Informimi i Mjacajt nga këta të burgosur, konfirmohet edhe në dëshminë e policit Ilir Balla, i cili bënte shoqërimin e të burgosurit nga sektori në zonën e ajrimit.
Pasi u informua për vendimin, Mjacaj kuptoi se nuk kishte kohë dhe do të duhej të vepronte për përmbushjen e planit të vrasjes.
“Dua të them këtë veprim e kam bërë në inat e sipër sepse isha i bindur që Arbeni ishte shkaku që mua do më transferonin në regjimin e posaçëm dhe kur mora vesh këtë lajm nuk e mendova gjatë, armën e kisha në brez dhe direkt shkova ta kërkoj për ta vrarë”.
‘Nuk besoj dhe nuk mendoj që është motiv i qenësishëm për rrezik, organizim aq të madh, për thyer cdo lloj sigurie në burg për realizimin e një vepre të tillë penale. Me pak fjalë, nuk besoj se është ky motivi, mund të dalë që është një nga mga motivet, por jo kryesori’, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.