Apartamentet me qera ditore janë kthyer në një biznes në Tiranë, por duket se nuk janë edhe aq fitimprurëse, veçanërisht pas formalizimit të tregut dhe deklarimeve që duhet të bëjnë pronarët. Në një shkrim të publikuar sot në Monitor thuhej se vitin e kaluar, në Tiranë ishin të listuara 34,834 prona, duke përfshirë apartamente, shtëpi apo vila pushimi.
Në total nga këto prona vitin e kaluar ishin arkëtuar 12 milionë dollarë. Krahasuar me një vit më parë numri ishte rritur, por a është AIRBNB një investim fitimprurës? Duke marrë parasysh shifrat e publikuara më sipër, sipas gazetares Ola Xama, me vlerën e apartamenteve në Tiranë, një investim në AIRBNB, është një investim i vdekur, pasi investimi mund të kthehet pas 291 vitësh. Kjo përllogaritje del nga numri i apartamenteve të listuara në AIRBNB, dhe shuma e parave që janë gjeneruar.
Postimi i gazetares:
“Apartamentet në Tiranë merren për investim për qira dhe AirBnb” thonë. Ja dhe të dhënat nga AirBnb, 35 mijë banesa të listuara kanë arkëtuar 12 milion USD të ardhura në 2023. 343 USD në vit për një njësi. Nëse një apartament kushton 100 mijë USD dhe gjeneron 343 USD në vit, kthimi i investimit bëhet pas 291 vjetësh.
Po e zemë se ka kushtuar 50 mijë USD, prapë kthimi i investimit kërkon 145 vjet. Pa llogaritur këtu koston e amortizimit, mirëmbajtjes, riparimeve dhe vlerës së parasë në kohë. Kjo dukuri në ekonomi quhet investim i vdekur, sepse nuk arrin që të nxjerrë as këstin e kredisë. Norma e kthimit të investimit (ROI) del negative. Ta gëzojmë krematoriumin!