Kur skandali “McGonigal” nisi të bëhej publik në media pak më shumë se një vit më parë, kryeministri Edi Rama do të deklaronte për mediat me krenari se ish-agjentin e korruptuar të FBI-së “e ka mik” dhe se “është krenar” për miqësinë me të.
Kur akuzat vijuan të bëheshin edhe më serioze, teksa në skenë dolën takimet e shumta dhe private të Ramës me Charles McGonigal, kreu i qeverisë shqiptare tentoi ta minimizonte shoqërinë me të, duke mohuar madje që ishin ‘miq”.
Ndërsa sot, McGonigal është dënuar me burg, dhe ndoshta do të mbyllet pas hekurave të qelisë, pikërisht për miqësinë e tij, takimet e fshehta dhe korruptimin nga Rama dhe njerëzit pranë tij.
Gjykata në SHBA vendosi ta dënojë McGonigal me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve dhe fshehjen e kontakteve me kryeministrin Edi Rama.
Sipas akuzës në SHBA, McGonigal kreu vizita të fshehta në Shqipëri, ku edhe zhvilloi takime me Ramën, për të cilat nuk raportoi.
Ai mbajti një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin shqiptar, duke provuar në fakt atë që vetë Rama tha, se e kishte mik, dhe se si “miku-mikut” i kërkoi të niste edhe një hetim kriminal ndaj financimeve të Partisë Demokratike që në atë kohë po lobonte në SHBA.
Përmes miqësisë, por edhe çantave me para që i dorëzoheshin McGonigal, një total prej 225 mijë dollarësh të padeklaruara, Rama arriti të korruptonte një prej zyrtarëve më të lartë të FBI-së, duke e përdorur edhe si kamikaz për të goditur opozitën në Shqipëri.