Forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin e Avdivkës, pas vendimit të ushtrisë ukrainase për të tërhequr trupat.
Beteja për Avdivkën zgjati disa muaj, dhe konsiderohet edhe më e përgjakshme se ajo për qytetin e Bakhmutit. Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 5000 ushtarë rusë vdiqën në tentativë për të pushtuar qytetin, dhe më shumë se 3000 mjete të rënda ushtarake ruse u shkatërruan.
Së fundmi, Rusia intensifikoi edhe më tepër sulmet ndaj qytetit, ndërsa ishte raportuar se Kremlini e kërkonte ta pushtonte Avdivkën përpara zgjedhjeve presidenciale. Qyteti ishte rrethuar me vetëm një rrugë të lirë evakuuimi, dhe rrezikonte të kthehej në një kurth vdekjeje për trupat ukraianse.
Vendimi për tërheqjen e trupave u mor nga komandanti i ri i forcave ukrainase Oleksandr Syrskyi.
“Ushtarët tanë kanë përmbushur me nder detyrën e tyre ushtarake, kanë bërë gjithçka është e mundur për të shkatërruar njësitë më të mira ushtarake ruse, i kanë shkaktuar armikut humbje të konsiderueshme në fuqi punëtore dhe pajisje. Ne po marrim masa për të stabilizuar situatën dhe për të mbajtur pozicionet e pushtuara. Jeta e ushtarakëve është vlera më e lartë. Ne ende do ta kthejmë Avdiivkën”, ka shkruar ai.
Ukraina është ankuar për mungesë të theksuar të logjistikës ushtarake, dhe ka vendosur të kalojë në pozicione mbrojtjeje, deri në mbërritje të ndihmës ushtarake nga vendet perëndimore.