Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë me ndjekësit duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre në rrjetin social Instagram. Basha iu përgjigj pyetjeve për ofertën e PD-së sa i përket arsimit dhe reformës së thellë që kërkon ky sektor, për zgjedhjet e 2025 dhe votën e emigrantëve. Në bisedën e tij me ndjekësit nuk munguan as pyetjet për Kosovën dhe të ardhmen e Partisë Demokratike.
Sa i përket arsimit dhe reformës që sipas tij kërkon ky sektor, Basha u shpreh se arsimi sot është në nivel të mjerueshëm. Kjo sipas tij nuk mund të frenojë ambiciet që shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
“E vështirë ta përmbledhësh me pak fjalë. Arsimi sot është në nivel të mjerueshëm, këtë e tregojnë edhe vlerësimet e Pisa-s. Por kjo nuk mund të na frenojë në ambiciet që kemi. Dhe ambicja është shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë duhet të investojmë tek mësuesit, tek infrastruktura shkollore dhe universitare dhe duhet të bëjmë të mundur që çdo familje shqiptare pavarësisht prej të ardhurave të kenë mundësi t’ju japë fëmijëve të tyre arsimin universitar. Jo thjesht një diplomë, por një profesion për të nesërmen që t’ju garantojë paga dinjitoze, të ardhura të mjaftueshme për një jetë të mirë për ta dhe familjet e tyre. Shumë shpejt ky program do të shpaloset në detaje, do të kemi mundësi ta debatojmë së bashku”,- u shpreh ai.
Basha ka folur dhe për ofertën e PD në zgjedhjet e vitit 2025, pasi një nga ndjekësit e pyet se si do të mund të fitojë votat kur nuk ka qenë aktiv.
“Me një program të mirë, që po përgatitet nga ekspertët më cilësor të Shqipërisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, me një ekip të përbër me zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja me reputacion në shoqëri që gëzojnë besimin tuaj. Kjo do të jetë oferta jonë, është në dorën tuaj të zgjidhni ofertën më të mirë. Partia Demokratike do të jetë kjo ofertë në zgjedhjet e ardhshme. Me një kulturë të re politike që do të bashkojë të gjithë energjitë pozitive të shoqërisë, do të bëjë të mundur ndryshimin që duam të gjithë. Sa i takon çështjes së aktivitetit, unë jam në një aktivitet të përditshëm. Por ka një keqkuptim, sikur të qenit në televizion është baraz me aktivitet. Jo! Në fakt kur je gjithë kohën në televizion, nuk ke kohë të angazhohesh me njerëzit. Me njerëzit, për njerëzit, kjo është oferta jonë, ju do të jeni gjyqtarët me votën tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,”-u përgjigj Basha.
Lulzim Basha, duke iu përgjigjur pyetjeve në Instagram, ka folur për votën e emigrantëve, ku ripërsëriti se kanë dorëzuar në Parlament propozimin sesi mund të mundësohet.
“Përshëndetje dhe respektet e mia. Aktualisht Partia Demokratike ka dorëzuar në parlament propozimin se si të mundësohet votat për emigrantët. Së pari Shqipëria një zonë. Së dyti, votimi dhe numërimi elektronik dhe shtrirja e kësaj infrastrukture në të gjitha vendet ku banojnë shqiptarët, do të mundësojë që të hiqet çdo pengesë reale apo artificiale që ju ka penguar të votoni aty ku jetoni. Ky është qendrimi ynë, ky është përkushtimi ynë. Natyrisht që ndryshimi kërkon që të gjitha forcat politike të bashkohen dhe të ndryshojnë kodin zgjedhor. Partia Demokratike është në ballë të kësaj beteje për votën e emigrantëve, për emigrantët që aktualisht përfaqësojnë gjysmën e Shqipërisë jashtë kufijve të Shqipërisë”,- tha Basha.
Një prej qytetarëve e pyeti se: Ku e sheh Partinë Demokratike pas dy vitesh? Basha iu përgjigj duke i thënë se PD do të jetë në pushtet, me një kulturë të re politike, me vizion dhe energji të reja, duke lënë pas kështu të shkuarën.
“Partinë Demokratike e shoh në pushtet, në drejtim të fateve të vendit, në qeverisje, duke bërë realitet angazhimet që marrim sot para shqiptarëve për ndryshim. Me një kulturë të re politike, me vizion, me energji të reja duke lënë pas gabimet e të shkuarës dhe duke parë me besim drejt të ardhmes që është Shqipëria e standardeve europiane për të gjithë. Sa i takon çështjes së aktivitetit, unë jam në një aktivitet të përditshëm. Por ka një keqkuptim, sikur të qenit në televizion është baraz me aktivitet. Jo! Në fakt kur je gjithë kohën në televizion, nuk ke kohë të angazhohesh me njerëzit. Me njerëzit, për njerëzit, kjo është oferta jonë, ju do të jeni gjyqtarët me votën tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,”-u shpreh Basha.
Ndër të tjera Lulzim Basha, gjatë komunikimit të tij me ndjekësit ka apeluar për palët politike në Shqipëri që të vendosin interesin kombëtar mbi gjithçka dhe të miratojnë amendamentin në buxhet për ndihmë ushtarake 50 milionë euro për Kosovën.
“Dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë. Dua t’u them dhe këtë, ndryshimi ka filluar që tani. Si kryetar i Partisë Demokratike kam çuar në Parlament amendamentin financiar, ushtarak për Kosovën me vlerë 50 milionë euro. Pra, gjithçka do të jetë për interesin kombëtar dhe asgjë nuk do të mbivendoset mbi interesat kombëtare. As interesat politike, aq më pak personale”, ka theksuar Basha.