Pas 20 orësh, pasi kreu krime të ndryshme, teksa më i rëndi ishte ai i vrasjes së ish-partneres Suela Saliaj, Renato Muhaj ka dalë përpara trupës gjykuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë tetë akuza që rëndojnë mbi Muhajn, teksa më e rënda është ajo e vrasjes së ish-partneres, Saliaj. Prokuroria në Florida shprehet se krimet e Renato Muhajt kanë ndodhur në harkun e pak orëve, raportojnë mediat amerikane. Ashtu siç nuk arriti të shkojë larg me veprime me vajzën e tij 8-vjeçare, e largët do të jetë dita kur ai të jetë sërish në liri.
Mediat në SHBA kanë publikuar disa momente nga gjyqi i Muhajt në gjykatë. Gjyqtari ia lexoi me radhë akuzat shqiptarit, por shtoi se ai nuk mund ta përdorë dot as të drejtën që të vendosë si garanci një pasuri prej 50 mijë dollarësh. Kjo, sepse akuzohet për vrasje të shkallës së parë, që është krim i rëndë.
SUELA SALIAJ
DOSJA E SHQIPTARIT, PUBLIKUAR NGA MEDIAT AMERIKANE
PAMJE NGA VENDNGJARJA
GJYKATESI NE GJYQIN E RENATO MUHAJT
Policia në Shtetet e Bashkuara ka rindërtuar skenën e ngjarjes. Ata shprehen se Muhaj fillimisht vrau në mënyrë brutale Suelën dhe më pas ka marrë peng të bijën 8-vjeçare. Pasi morën vesh ngjarjen e rëndë, autoritetet lëshuan alarmin Amber. Në dosjen hetimore, që kanë publikuar mediat në SHBA, thuhet se Muhaj ka sulmuar fizikisht prindërit e tij në Clearuater në orën 02:45 minuta të së hënës dhe nuk i ka lejuar ata, që të njoftojnë policinë.
Më pas, ai ka shkuar tek shtëpia e Suelës, teksa me përforcues grushti dhe thikë ka vrarë ish-bashkëshorten. Këtë krim e ka kryer në sy të vajzës 8-vjeçare. E mitura ka thënë se ka pyetur babanë se pse ia vrau mamanë dhe ai ishte përgjigjur se donte që ajo të vdiste. “Doja që ajo të vdiste”, mësohet të ketë thënë Muhaj.
Gjykatësi i tha Renato Muhajt se ai nuk do ta shohë asnjëherë vajzën e tij, edhe nëse del një ditë nga burgu. Ajo që është vënë re është fakti se 34-vjeçari nga Shqipëria nuk ka pasur asnjë lloj reagimi emocional në gjykatë. Ai thjesht ka pyetur nëse do të ketë avokat. “Po”, i ka thënë gjyqtari. Renato Muhaj, që vrau ish-bashkëshorten shqiptare Suela Saliaj në SHBA akuzohet për një sërë krimesh. Përpos vrasjes, mbi të rëndojnë akuzat për abuzim me të miturit, rrëmbim dhe dhunë ndaj prindërve.