Policia e Shtetit ka vijuar me operacionin e koduar “Tempulli 2”, duke shkatërruar edhe 7 grupe të tjera kriminale. Një nga grupet e shkatërruara e ushtronte aktivitetin në qarkun e Elbasanit.
Bëhet me dije se në kuadër të këtij operacioni, në pranga ka rënë edhe një student, si dhe një anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit. I arrestuari Franko Hakilja ishte këshilltar i Partisë së Lirisë. Ai dyshohet se shpërndante drogë në shkolla.
Anëtarët e grupit të dyshuar kriminal pritet që të dalin përpara gjykatës, ku do të njihen edhe me masën e sigurisë.
Këshilltari bashkiak kishte pozuar me Monika Kryemadhin
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Franko Hakilja, që përfaqëson koalicionin “Bashkë fitojmë” është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli 2”. Në një nga fotot, këshilltari bashkiak i PL-së në Elbasan, Franko Hakilja shihet përkrah deputetes të Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
FRANKO HAKILJA DHE MONIKA KRYEMADHI
Franko Hakilja është arrestuar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Në kuadër të fazës së dytë të operacionit policor “Tempulli” janë arrestuar 273 persona në 24 orët e fundit. Të prangosurit dyshohen për veprën penale prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike. Operacioni “Tempulli 2” u fokusua kryesisht në kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike pranë shkollave.
Gjatë ditës së sotme u finalizua operacioni i koduar “Tempulli 2”. Në të gjithë vendin janë zhvilluar opercione antidrogë, duke shkatërruar 7 grupe kriminale. Nga operacionet, janë arrestuar plot 273 persona në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan armë, drogë dhe para.