Ermal Kurtulaj, vartësi kryesor i ish-ministrit Ilir Beqaj, tashmë protagonist i dosjes ‘GZONA’, ku Kurtulaj po hetohet si mbulesa e tij në çështjen e faturimeve fiktive nga Agjencia SASPAC për një sërë subjektesh përfshirë edhe vetë restorantin e ish-ministrit është në liri dhe në përpjekje për të fshirë çdo gjurmë që e lidh me Beqajn.
Gazeta zbuloi disa ditë më parë një rrethanë edhe më shqetësuese. Edhe pse SPAK po e heton Kurtulajn në dosjen e Beqajt, ai ende vazhdonte të shkonte në punën e tij si koordinator i programit Eusair në SASPAC. Redaksia raportoi për faktin se bashkëshortja e tij, edhe pse e punësuar në rrethana në një skemë tërësisht nepotike, vazhdonte të ishte pjesë e Agjencisë ku Beqaj ishte titullari kryesor.
Por çfarë ka ndodhur? Kush e punësoi familjen Kurtulaj në SASPAC
Mediat u interesuan zyrtarisht pranë agjencisë ku deri në nëntor titullari kryesor ishte Beqaj. Në përgjigjen që ky institucion na jep, sqarohet se gruaja e Kurtulajt është punësuar nga DAP e jo nga titullari i Agjencisë.
“Znj. A.Z është emëruar pranë SASPAC nga Departamenti i Administratës Publike pasi rezultoi fitues në procesin e konkurrimit me lëvizje paralele në pozicionin Specialist në Sektorin e Mbështetjes së Strategjive Sektoriale dhe Ndërsektoriale, në Drejtorinë e Programimit Strategjik. Pozicioni i punës konsiston në kontributin për hartimin e dokumenteve strategjikë, sektorialë dhe ndërsektorialë me qëllim harmonizimin e objektivave dhe rezultateve me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim si dhe mbështet strukturat përgjegjëse politikëbërëse, në përputhje me fushat e tyre të përgjegjësisë, për përcaktimin e drejtimeve kryesore të zhvillimit të vendit dhe hartimin e prioriteteve të qeverisë. “-sqaron SASPAC, duke mos sqaruar sesi një lidhje familjare, burrë dhe grua mund të punonin në të njëjtin institucion, apo sesi bashkëshortja e Kurtulajt vazhdon ende të jetë pjesë e institucionit.
Sipas Agjencisë, në përgjigjen që na është kthyer, deklarohet se titullari nuk ka përse ta shkarkojë gruan e Kurtulajt nga puna, pasi sipas tyre, nuk ka një shkak të sanksionuar “shprehimisht” me ligj. Dhe pikërisht te fjala “shprehimisht” ky institucion kapet duke u përpjekur ti sqarojë publikut në këtë kthim përgjigje, se edhe pse gruaja e Kurtulajt punon në SASPAC, ajo është e pavarur. Por a mund të jetë vërtetë e pavarur kur i shoqi është në hetim pikërisht për mbarëvajtjen dhe shpërdorimin e fondeve të kësaj agjencie?
“Sipas nenit 63 të ligjit 152/2013, marrëdhënia në shërbimin civil përfundon nëpërmjet: a) lirimit nga shërbimi civil; b) largimit nga shërbimi civil, si masë disiplinore; c) pranisë së një shkaku të parashikuar nga neni 65 i këtij ligji. Për sa më lart, titullari i institucionit nuk mund të shkarkojë nga detyra nëpunës civilë, për raste që nuk janë të sanksionuara shprehimisht në ligj, me qëllim garantimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.”-thuhet më tej.
Po aq i habitshëm është edhe sqarimi i SASPAC për faktin sesi Kurtulaj nuk u shkarkua apo pezullua pasi SPAK nisi hetimin për të deri në masën e kontrollit të të gjithë veprimtarisë së tij. Ky institucion mbrohet duke thënë se deri më sot, Kurtulaj nuk ka një akuzë penale por është vetëm në hetim.
“Ndërsa në lidhje me z. E.K, sqarojmë që marrëdhënia e tij e punës në SASPAC si koordinator i Zyrës Facility Point për projektin EUSAIR, rregullohet nga Kodi i Punës dhe jo nga kuadri përkatës rregullator i shërbimit civil. Për këtë arsye, duke qenë se deri më sot ai ka vetëm statusin e “personit nën hetim” dhe jo statusin e “personit ndaj të cilit është komunikuar ndonjë akuzë penale” dhe as SPAK dhe as Gjykata e Posaçme nuk kanë kërkuar nga SASPAC marrjen e ndonjë mase konkrete paraprake në lidhje me pezullimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të tij të punës, titullari i SASPAC nuk ka evidentuar asnjë arsye të ligjshme për pezullimin apo ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të tij të punës para se z. E.K të jepte vetë dorëheqjen e tij përmes shërbimit postar që më datë 29.12.2023.”-thuhet në emailin dërguar ZËRI-t.
Ky ‘normalizim’ i rrethanave për Ermal Kurtulajn është përveçse i habitshëm edhe i dëmshëm. Ai është sot një ish-zyrtar në hetim dhe rezultati që kjo dosje do të prodhojë mund të varet edhe nga veprimet që një person nën hetim mund të ndërmarrë. Për ta kuptuar më mirë, mjafton të përmendim se që prej momentit kur Kurtulaj u zbulua në këtë hetim e deri më sot, ai ka fshirë çdo gjurmë të tijën në rrjet. Të gjitha profilet e tij në Facebook, Instagram dhe X janë mbyllur duke mos u privatizuar por ç’aktivizuar. A lidhen këto me hetimin dhe zbulimin e rrethit të të besuarve?