Pas një dite me reshje të dendura dëbore kjo është pamja e qytetit të Peshkopisë mbrëmjen e kësaj të shtune. Në këtë qark trashësia e dëborës e kalon tashmë 25 cm. Rruga e Arbrit është e bllokuar në qafën e Murrizit dhe lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës po kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.
Ndërsa akset Peshkopi-Bulqizë, Peshkopi-Kukës, si dhe Ura e Çerenecit-Librazhd janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Klos, në afërsi të fshatit Shkallë rrëshqitja e dherave ka mbuluar njërën korsi. Kushtet e pafavorshme kanë bërë që një makinë të dalë nga rruga duke lënë të lënduar pasagjerin.
Probleme raportohen edhe në qarkun e Shkodrës. Bashkia Fushë-Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi 12 fshatra kanë mbetur të bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të borës. Ndërsa në akset e tjera që të çojnë drejt fshatrave turistikë rrugët janë të kalueshme vetëm më zinxhirë.
Era e fortë dhe stuhitë vështirësuan qarkullimin edhe në Lezhë, sidomos për mjetet e tonazhit të lartë në aksin Lezhë-Laç. Në urën e vjetër të Milotit era ka rrëzuar një kamion, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
“Kamionët me tenda, duhet të qarkullojnë me tenda të hapura, përndryshe era mund t’i spostojë, sepse era është shumë e fortë”, thaValmir Nikolli, shef i sektorit të Qarkullimit Rrugor, Lezhë.
Situata është më problematike në Mirditë. Aksi Fan-Xhuxhë është i bllokuar. Ndërsa në rrugën e Kombit është problem lëvizja në segmentin Orosh-Kalimash.
Dëbora nuk erdhi e qetë as në juglindje. Në aksin Përrenjas-Qafë Thanë janë krijuar radhë kilometrike automjetesh. Gjatë ditës, në aksin Korçë-Kapshticë, si pasojë e lagështirës, një mjet taksi doli nga rruga dhe për pasojë janë plagosur dy pasagjerë.
Reshjet e dendura të dëborës që mbuluan stadiumin “Skënderbeu” të Korçës u bënë shkak për anulimin e ndeshjes Skënderbeu-Dinamo.
Stuhitë e shiut dhe dëborës kanë përfshirë edhe qarkun e Elbasanit. Në aksin rrugor “Librazhd-Qafë lëvizja e automjeteve kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa ndalohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.
Si pasojë e kushteve të motit disa fshatra në vend kanë mbetur edhe pa energji elektrike. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit.