Hetimet e SPAK ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kanë zbuluar sesi një numër biznesesh janë përdorur nga Ermal Kurtulaj, vartësi i Beqajt te Agjencia për Menaxhimin e fondeve me BE për të pastruar paratë, me fatura fiktive shërbimesh.
Sipas mediave, në dosje në faqen 13 përmendet edhe një restorant i njohur në kryeqytet, “Me Nam” në pronësi të barabartë mes Fisnik Filit dhe aktorit të famshëm Ermal Mamaqi. Sipas dokumenteve në 3 raste, Fisnik Fili pret fatura për organizimet e eventeve të restorantit “GZONA” me vlerë mbi 325 mijë lekë në total dhe nuk ka bërë blerje të treta me qëllim që paratë t’i kalojnë Ermal Kurtulajt.
Sot, Ermal Mamaqi ka reaguar për herë të parë pas akuzave se është përfshirë në një skemë pastrimi parash.
Ai mohon këto akuza, duke kërkuar përgënjeshtrimin e lajmeve duke paralajmëruar marrjen e masave ligjore.
Reagimi i Mamaqit:
Përshëndetje të gjithëve!
Nisur nga një lajm i rremë që po qarkullon së fundmi dua të bëj një sqarim për fansat dhe dashamirësit e mi, gjithashtu kam një kërkesë të drejtëpërdrejtë për të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme ose prej mungesës së profesionalizmit, kanë kontribuar në shumëfishimin e kësaj të pavërtete.
Nuk jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash dhe nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet.
Ky informacion i rremë, i shpërndarë nga disa media dhe gazetarë të cilët kanë shkelur me të dyja këmbët etikën dhe parimet e profesionit të tyre, ka shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.
Për rrjedhojë, ju bëj thirrje që të përgënjeshtroni dhe fshini të gjithë lajmet në adresën time lidhur me këtë çështje, pasi në të kundërt, ndaj çdo subjekti të përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji.
Ndërsa atyre që janë angazhuar në fyerje dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, dua t’ju them se nuk është kjo mënyra për t’u ndjerë më mirë, apo për të ngushëlluar veten.
Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im.