Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes 2-ditore në Shëngjin të Lezhës, ka mbajtur një konferencë me gazetarët. Përpara se gazetarët t’i drejtonin pyetje kreut të qeverisë, Rama ka zbuluar projektet më të rëndësishme për vitin e ri 2024.
Rama deklaroi se në mbledhjen 2-ditore është folur edhe për çështje infrastrukturore. Ai theksoi se brenda këtij viti, do të hapet për qarkullim aksi rrugor Thumanë-Kashar, për të cilin tha se është shumë i rëndësishëm, si pjesë e Korridorit Blu. Rama tha gjithashtu se punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Ai shtoi se është folur në lidhje me adresimin për financimin e bypassit të madh të Elbasanit.
Po ashtu, Rama deklaroi se gjatë 2024, me gjasë do të përfundojë edhe segmenti i parë hekurudhor Tiranë- Durrës. Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi gjithashtu se do studiohet mundësia për të ndryshuar linjën hekurudhore Durrës- Prishtinë, në mënyrë që kjo linjë të kalojë edhe në Shkodër dhe në Gjakovë.
Në deklaratën e bërë për mediat, kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se Porti i Durrësit në Porto Romano do të ndërtohet me financim të brendshëm. Sipas Ramës, ky ndryshim bëhet, me qëllim që qeveria të mos varet nga kohët e tejzgjatura dhe ngarkesat e tjera, që burojnë nga financimet e huaja.