Opozita në Kuvend ka nisur një aksion parlamentar që përkthehet në bojkotin e çdo punimi parlamentar!
Korrieri prej disa javësh tashmë ka vëzhguar punimet e Kuvendit dhe ka vënë re mungesën e deputetëve në mbledhjet e Komisioneve dhe seancat plenare që mbyllen brenda pak minutave. Nga vëzhgimi që ka bërë Gazeta në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, që prej 1 nëntorit, punimet në Komisione janë zhvilluar online.
Me një vendim të konferencës së kryetarëve që mban datën 1 nëntor është caktuar që deputetët t’i rikthehen “Zoom”, shkak është bërë situata e krijuar me opozitën që bllokon zhvillimin e mbledhjeve me argumentin se i janë rrëzuar disa kërkesa të paraqitura prej tyre. 3 vite më parë për shkak të pandemisë, rregullorja e kuvendit u ndryshua duke vendosur mbledhjen online të komisioneve të 3 raste, atë të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Edhe pse asnjë pikë nuk e justifikon zhvillimin e mbledhjeve online, ato kanë vijuar përgjatë gjithë muajit nëntor, duke marrë edhe vendime të rëndësishme.
Duke nisur nga 1 nëntori, Gazeta ka mbledhur të gjitha orët, që deputetët socialistë kanë hapur kameran e tyre për të punuar “smart”. Gjithsej, kanë punuar brenda një muaji vetëm 60.25 orë.