Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge janë vënë në prangat e policisë së Tiranës.
Mësohet se të arrestuarit janë Ardian Korriku, Jurgen Korriku dhe Etleva Adami, të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle 2020”, për trafik ndërkombëtar të drogës.
Njoftimi i policisë:
Vijon në vendin tonë, operacioni policor ndërkombëtar antidrogë i koduar “PUZZLE 2020”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe GDF-së.
Operacioni, me koordinimin e Zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri, pas hetimeve të kryera nga prokuroritë e Padovas dhe Venecias.
Kapen në Shqipëri dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë, të kërkuar ndërkombëtarisht në kuadër të këtij operacioni, për trafikim të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane dhe me GDF-në, për goditjen e grupeve/organizatave kriminale në fushën e narkotikëve, me veprimtari në të dy shtetet, ka vijuar në Shqipëri, operacioni policor ndërkombëtar antidrogë i koduar “PUZZLE 2020”.
Gjatë këtij operacioni u kapën në vendin tonë, shtetasit shqiptarë A. K., 54 vjeç, J. K., 27 vjeç dhe E. A., 46 vjeç.
Për këta 3 shtetas është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të një procedimi penal të Drejtorisë së Antimafias, së Distriktit të Venecias.
Vijojnë veprimet operacionale dhe procedurale në funksion të këtij operacioni.