Dritan Rexhepi po hetohet për një vrasje mafioze të ndodhur rreth 6 muaj më parë në Vlorë, kështu deklaroi gazetarja investigative Klodiana Lala.
Ajo tha se prokuroria e Vlorës ka dyshime se vrasja është kryer nga grupi i Dritan Rexhepit, megjithatë nuk dha detaje të mëtejshme. Gazetarja Lala gjithashtu tha se Rexhepi ka hyrë në territorin shqiptar, megjithatë nuk dihet se për çfarë periudhe bëhet fjalë.
“Dritan Rexhepi kohët e fundit kishte krijuar familje dhe italianët që janë më të interesuarit, kanë vëzhguar gjatë gjithë kohës familjen e tij. Në momentin që forcat e policisë kanë ndërhyrë për arrestimin, ka tentuar të largohet por nuk ia ka dalë se forcat ishin të shumta.
Është njeriu kryesor në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Përveç se Dritan Rexhepi kontrollonte kartelin “Bello”, edhe me personazhe të tjerë si Denis Matoshi, i ka dhënë mbështetje Dritan Rexhepit në momentin që ai është liruar nga burgu në Ekuador.
Ai ka hyrë pak kohë më parë në Turqi, ku edhe u arrestua. Prokuroria e Vlorës është duke e hetuar për një atentat të ndodhur 6 muaj më parë për një personazh të botës së krimit. Nuk mund të jap më shumë detaje për këtë”, deklaroi gazetarja Lala në emisionin “Kjo Javë”.