GJKKO ka dënuar 8 muaj burg Gëzim Paplekajn, i akuzuar për korrupsion pasiv, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Në një video të publikuar, Paplekaj thoshte se ka marrë 20 mijë lekë për t’i dhënë 4 vota Partisë Socialiste.
“Për Kishën e Laçit mua m’i ka dhënë 20 mijë lekë. Mirë më ka paguar, kaq para m’i ka dhënë për katër vota. Ka ardhur makina e policisë me lekë, kanë ardhur bosat dhe kanë thënë sa persona ke në familje, urdhëro kaq para. Ata janë me maskë dhe të vrasin.
Edi Rama ka fituar me lekë. Jam në gjendje dhe të betohem se votat e familjarëve të mi janë për PS. Pse mos ia marr lekët? Më kanë kërkuar pasaportën dhe vula kishin dhe ishin pajisur me kupon”, thotë Paplekaaj në videon e shpërndarë në rrjet.
Pas shpërndarjes së videos në rrjetet sociale, ku Gëzim Paplekaj thoshte se ka marrë para për të dhënë 4 vota për PS, vetë Paplekaj dhe tre persona të tjerë u arrestuan nga policia. Paplekaj dhe tre të tjerët u akuzuan se kanë kërcënuar shtetasin Ylli Koceli, pasi ky i fundit dyshohet se shpërndau videon.
“Me datё 01.05.2021, ora 00:50 u bё ndalimi i shtetasve Mirash Paplekaj, Gezim Paplekaj, Donald Paplekaj dhe Jetmir Paplekaj.
Këta persona akuzohen se me datё 29.04.2021 ora 12:00, nё Torovicё, Lezhё, nё bashkёpunim me njёri-tjetrin kanё dhunuar, kanosur pёr jeten pёr tё bёrё deklarim tё rremё, si dhe i kanё dёmtuar automjetin me targa AA2185JM, shtetasit Ylli Kacoli”, njoftoi policia në atë kohë.
Pas publikimit të videos Gëzim Paplekaj u shoqërua në komisariatin e Lezhës për t’u marrë në pyetje, ndërsa SPAK nisi hetimet.