Dosja CEZ-DIA, e rihapur nga SPAK në prill të vitit të kaluar lidhet me dyshimet për ngritjen e një skeme përvetësimi parash përmes mbledhjes së borxhit të faturave të papaguara të energjisë që qytetarët i kishin në atë kohë CEZ-it.
Çështja është gjykuar një herë, por i vetmi i dënuar me 11 vite burg ishte Kastriot Ismailaj, ish-administrator i DIA-s. Nga hetimet e asaj kohe rezultoi se Kastriot Ismailaj i DIA-s ka përvetësuar të paktën 5 milionë dollar nga CEZ përmes paraqitjes së faturave fiktive të mbledhjes së borxhit të keq.
Skema dyshohet se është përdorur nga CEZ për të ndarë me pushtetarët shqiptarë paratë që akumuloheshin nga abuzimi i përbashkët. Paratë që CEZ i jepte Ismailajt kalonin si kosto në buxhetin e shtetit, pra në kurriz të qytetarëve shqiptarë, pasi CEZ ngrinte herë pas here pretendime për njohjen e borxhit të keq, uljen e çmimit të energjisë që blinte tek KESH dhe që ua shiste me shtrenjtë shqiptarëve, zhvlerësimin e aseteve të OSSH dhe favorizimeve të tjera, të cilat pranoheshin nga qeveria e Sali Berishës.
Ndër vite ka pasur akuza se njeriu që qëndronte pas Kastriot Ismailajt është Ilir Meta, i akuzuar se ka udhëtuar drejt Pragës për të negociuar në mënyrë të paligjshme kontratën mes CEZ dhe DIA.
Në fund të 2014-s, ish-kreu ekzekutiv i CEZ, Jozef Hejsek dëshmonte se ishte Ilir Meta që i kishte rekomanduar në Pragë kompanisë mëmë CEZ Kastriot Ismailajn për mbledhjen e borxhit të keq. Dëshmia u bë gjatë procesit gjyqësor të zhviluar në Arbitrazh, ku DIA e Kastriot Ismailajt kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës nga OSHEE pas shtetëzimit të rrjetit të shpërndarjes.
Një vit më vonë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, tashmë kundërshtarë përplaseshin në Kuvend dhe mes akuzave që ish-Kryeministri adresonte ndaj ish-vartësit të tij ishte edhe negociimi i paautorizuar me CEZ-in për mbledhjen e borxhit të keq.
Sali Berisha deklaroi në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, ndërsa i kërkonte këtij të fundit të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. Për 3 javë me radhë, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe deputetët e PD-së akuzuan Metën si dora që fshihej pas aferës CEZ-DIA.
Meta mohoi të ketë shkuar në Pragë për të negociuar kontratën mes CEZ dhe DIA, ndërsa e paraqiti Kastriot Ismailajn si njeri të Sali Berishës dhe akuzat ndaj tij si një skenar mafioz.