Mëngjesi i sotëm ka nisur me stuhi dhe rrufe mbi Shqipëri. Kjo ka sjellë menjëherë problemet e para në qarkullim në Tiranë, por edhe në Durrës, Mirditë dhe qytete të tjera të vendit. Aksi i parë që është bllokuar është Burrel-Skuraj.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave thotë se në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë do të ketë reshje intensive, ndërsa në qarqet Elbasan, Fier dhe Berat priten reshje mesatare.
“Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje” thuhet në njoftim.