A do të shkojë Sali Berisha sot përpara oficeres së policisë gjyqësore në SPAK? Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për shtetasin Sali Berisha, duhet të paraqitet përpara autoriteteve dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë. 6 nëntori është edhe paraqitja e para që Berisha ka sipas këtij vendimi.
Dilema nëse ish-kryeministri do të paraqitet apo jo paraditen e sotme ka ardhur pasi ai vetë është shprehur se nuk e njeh vendimin e Gjykatës së Posaçme, pasi sipas tij është antikushtetues, duke argumentuar se, për të marrë një vendim të tillë ndaj një deputeti, do të duhej kërkuar autorizimi në Kuvendin e Shqipërisë. Por çfarë parashikohet nga ligji nëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqitet këtë të hënë përpara policisë gjyqësore?
Sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ka shkelje të masave të sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë tjetër me të rëndë. “1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes.
Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.
Konkretisht masat qe konsiderohen më të ashpra dhe që mund të jepen ndaj Sali Berishës janë arrest në shtëpi ose shoqërim me forcë, ndërkohë që arresti me burg ndaj ish-kryeministrit nuk është i mundur për shkak të moshës së tij. Por a do t’i ashpërsojë GJKKO qëndrimet ndaj Sali Berishës, nëse ky i fundit refuzon paraqitjen vullnetarisht përpara organeve të drejtësisë? Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është pas hekurave, pasi gjykata mori masën e ‘arrestit me burg’ ndaj tij, po për këtë çështje.