Një grup banorësh të pallatit Star Construction, i cili është bërë ‘mollë sherri’ për përplasjen e dy ndërtuesve vite më parë në kryeqytet, po protestojnë para Prokurorisë së Tiranës. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se shkak i protestës është bërë moslëshimi i një urdhri ekzekutimi nga ana e prokurorisë për zbatimin e vendimit të gjykatës, e cila ka vendosur të hyjnë vetëm 4 familje.
Banorët, njëzëri kërkojnë që ky vendim të ekzekutohet për 120 familje, siç është përcaktuar në vendimin e gjykatës.
Pallati në fjalë ndodhet në rrugën ‘Ndre Mjeda’. Kujtojmë se më 13 janar të vitit 2021 dy ndërtues u përleshën fizikisht, sherr që përfundoi në plagosjen e njërit prej tyre. Nga përplasja me armë mbeti i plagosur ndërtuesi Sino Llanaj, i cili u konfliktua me biznesmenin Albert Allmuça. Dy biznesmenët Llanaj dhe Allmuça janë në konflikt prej kohësh për pallatin në fjalë, projekt që e kanë nisur së bashku për ta përfunduar brenda vitit 2019.