Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot me pamje që sipas tij tregojnë se grupi i Bajrajve në Shkodër ushtruan presion në zgjedhjet e 14 Majit në Shkodër. Në një video të gjatë, ai flet me emra. Akuzon se policia në vend që t’i arrestonte, i lejoi anëtarët e grupit Bajri që të terrorizonin qytetarët e Shkodrës për të votuar Benet Becin. Kjo sipas tij vërteton se si u mor mandati nga socialistët. Tha se videon nuk ka besim që ta dorëzojë në SPAK.
“Sot ne paraqesim para jush dhe shqiptarëve, terrorin që ushtruan ditën e zgjedhjeve, vrasësit serialë, njëra nga anëtarëve të bandës më të rrezikshme të Ballkanit dhe Europës, banda e Bajrëve në qytetin e Shkodrës. Se si kjo bandë e Edi Ramës, e lidhur direkt me Taulant Ballën, që merrte pjesë në shtabin elektoral të PS, të kryesuar nga Elisa Spiropali, del në qytet me autokolonën e blinduar dhe ushtron terror të paparë në Shkodër.
Me terrorin e vet, banda e Bajrit me autokolonën e krimit, bëri gjithçka t’i instalojë në pushtet një kryebashkiak, mandati i të cilit qëndron mbi krimin, vrasjet, drogën e klanit Bajri. Sot jam këtu gjithashtu për të denoncuar dhe deklaruar se SKAP-i i partisë është një seksion i bandës së Bajrit, është një organizatë kriminale, e cila bashkëpunoi me këtë bandë për të përmbushur misionet e saj të zeza elektorale.
Një prokuror guximtar dhe një oficer policie, guxoi të zbatonte ligjin dhe prangosi Bajrët për vrasjet e tyre. Natyrisht prangosja e Bajrëve për vrasje, kërkonte një guxim para së gjithash sepse është e njohur fuqia e tyre hakmarrëse.
Por ai nderoi ligjin. Bajrët në Tiranë, erdhën në strofullën e tyre. SKAP-i i partisë, pas disa muajsh pseudohetime, mbyll dosjen e tyre në Tiranë duke deklaruar më të paimagjinueshmen, se ata nuk përbënin organizatë kriminale. Se ata nuk përbënin grup kriminal dhe si të tillë, nuk mund të ishin objekt hetimi për SKAP-in. Ju ftoj të ndiqni këtë dokumentar horror, 24 minuta.
Keni durim, por tregon të gjithë dramën elektorale të qytetit. Me emër, mbiemër, me targa, me makina. Qarkullimi që bënë këta gjatë ditës me makina. Më falni, harrova të them se përveç Beharit dhe Denisit, Safeti edhe ai u nxor nga burgu menjëherë, se kishte pasur qëndrim të mirë, dhe u dërgua te banda para zgjedhjeve” tha Berisha.