Gjyqtarja Flora Hajredinaj ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi gjyqësor në dosjen “Partizani”. Kjo gjykatë e ka çmuar pa bazë pretendimin e avokatëve të Berishës për shkelje të ligjit për dy masat e sigurisë pa marrë autorizim nga Kuvendi më parë.
Ndërkohë që prej orës 15:00 të pasdites së sotme po zhvillohet seanca e drejtuar nga Irena Gjoka kundër ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK. Lideri i demokratëve po mbrohet nga dy avokatë të zgjedhur kryesisht, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.
Gjykata kërkoi që Berisha të paraqitej për t’u marrë në pyetje dhe për t’u njohur me dy masat e sigurisë që u vendosën kundër tij, detyrim paraqitje dhe bllokim të lëvizjes jashtë vendit për dosjen “Partizani”, por refuzoi.
Procesi kundër tij në ditën e tretë po vazhdon me dy avokatë të caktuar kryesisht pasi Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të pajisur me prokurë dje braktisën seancën gjyqësore dhe u larguan. Por Berisha tha sot se nuk ka marrë asnjë informacion për avokatët që po e përfaqësojnë, të cilët i ka zgjedhur prokuroria.