Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ishte në spitalin e Vlorës ku takoi vajzën e cila u drogua dhe që dyshohet se më pas u përdhunua nga tre djemtë që e çuan nga lokali në hotel dhe më pas e lanë në derën e godinës duke u larguar.
Ministri u shpreh se e takoi për t’i ofruar mbështetje vajzës dhe familjes së saj. Më tej Balla tha se vajza kishte ardhur nga një zonë rurale në Vlorë për të punuar dhe mbështetur familjen e saj.
“Nuk është e vërtetë që policia ka vepruar me vonesë. Emrat e fajtorëve i cakton prokuroria, lëreni të bëjë punën e vet. Të bëhemi të gjitha bashkë sepse vajza mund të ishte motra e secilit prej nesh.
Dhuna me bazë seksuale dhe gjinore nuk është e re, por është krijuar kulturë pandëshkueshmërie, ju garantoj se do të marrë fund. Jam këtu për të mbështetur këtë vajzë, që ka rënë pre e kësaj dhune.
Vajzë nga një zonë rurale që ka ardhur në Vlorë për të punuar dhe mbështetur familjen e vet. Kam ardhur t’i ofroj mbështetje kësaj vajze dhe familjes së saj. Kini besim tek drejtësia. Prokuroria e Vlorës po e heton këtë çështje”, tha Balla jashtë spitalit të Vlorës.
26-vjeçarja u drogua në një lokal më datën 21 tetor nga i dashuri i saj dhe 3 shokë të tij. Më pas ajo është dërguar e pavetëdijshme në një hotel dhe ku dyshohet se është përdhunuar nga partneri, si edhe dy prej miqve të tij.