Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi ka thënë se të gjitha procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
“Nuk e dija që isha unë armiku. Të gjitha procedurat për privatizimin e objektit, kanë nisur në vitin 2000. Inventarizimi është firmosur nga kryeministri aktual Edi Rama, që ne atë kohë ishte kryetar bashkie.
E gjithë prona nuk ka qenë zonë sportive, siç pretendon prokuroria, por ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm i cili pretendonte se e kishte të regjistruar shoqëri aksionere Kf Partizani.
Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur një proces gjyqësor në gjykatën e Tiranës. Në atë kohë gjykata shfuqizoi Kf Partizanin të regjistrohej si shoqëri aksionere.
Unë jam profesor doktor dhe jetoj në Shqipëri edhe pse kam patur mundësi të largohem. Hetimi prej vitit 2020 po mbahej qëllimisht dhe unë kam qenë në dijeni të këtij procedimi,” ka thënë ndër të tjera Malltezi.