Oficeri i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Mohammed Akiki, ka mbetur i plagour rëndë gjatë ditës së sotme. Sipas mediave të huaja ai ka rënë pre e një sulmi në Teheran dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje kritike pas plagëve të rënda që ka marrë.
Fillimisht ishte shkrimtari izraelit Amir Tsarfati që shkroi për atentatin ndaj zyrtarit të lartë të shërbimeve sekrete iraniane në kanalin e tij në Telegram duke nënvizuar se Akiki ndodhet në terapi intensiven një spital në Teheran. Më pas lajmi u konfirmua edhe nga rrjeti Bnn, raporton agjencia e lajmeve italiane lastampa.it.
Për momentin ka mungesë informacioni për sulmin, por sipas ekspertëve dhe analistëve të ngjarjeve në Iran duket se atentati lidhet me situatën shpërthyese në Lindjen e Mesme, pas agresionit të Hamasit ndaj Izraelit dhe reagimin e shtetit hebre. Edhe shkrimtari izraelit Amir Tsarfati nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së shërbimit sekret, Mosad në këtë atentat.
Kjo mund të jetë një hakmarrje për rolin e Iranit në sulmin e Hamasit. Profesori italian Daniele Ranieri shkruante pak ditë më parë se sulmi i Hamasit ka prishur të gjithë “status quo”-në në Lindjen e Mesme. Sipas tij, hakmarrja e Izaelit do të ketë pasoja edhe në Iran, por edhe në Liban për shkak të përfshirjes së Hezbollahut në këtë vend, në regjimin e Asadit në Siri, Jemen dhe Irak.