Kontrolle të rrepta në Morinë. Tentuan të futnin në Shqipëri lëndë piroteknike, sipas policisë me qëllim përdorimin gjatë ndeshjes Shqipëri – Çeki, shoqërohen në ambientet e policisë 12 persona që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete që drejtoheshin nga dy të rinj nga Presheva dhe Kosova. Sekuestrohen 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 thika.
“Në kuadër të intensifikimit të punës në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme që mund të përdoren gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Çeki, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme” njofton policia.
Video Player