Duket se abuzimet e kompanisë celulare “One Albania” kanë shqetësuar edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Deputeti i PS-së në Qarkun e Shkodrës, Frrok Gjini, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë, ka ngritur për herë të parë shqetësimin se kompania “One Albania” u ka bllokuar celularët dhe politikanëve.
Më tej, ai shtoi se qytetarët po vidhen nga kjo kompani celualre dhe këtë sipas tij mund ta konstatojë vetë çdo deputet duke shkuar në dyqanet celulare. Ai ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanisë “One Albania”. Sipas tij, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) duhet të dalë para komisionit dhe të japë shpjegime.
“Duke pas parasysh një shqetësim të madh që kanë qytetarët, në lidhje me kompaninë One, kompaninë celulare, a është mirë që Komisioni me tagrin e tij që ka, të thërrasë Autoritetin, sepse është bërë një problem shumë i madh. Të thërrasim Autoritetin e Telekomunikacionit për këtë problem, sepse qytetarët po vuajnë shumë, me faturat. Po i vjedhin, nuk ju ofrojnë shërbimet, ka shumë shqetësime.
Nëse e gjykoni të arsyeshme si Komision, është ONE ai që është bërë një gangrenë te qytetarët. Sinqerisht, kur të shkosh me pagu faturën e telefonit e shikon se çfarë problemesh kanë njerëzit. Bile, ka dhe deputetë këtu që ua kanë mbajt telefonat me nga një muaj të bllokum. Kjo është shumë shqetësuese”, është shprehur Frrok Gjini.
Bllokimi i celularëve të politikanëve u konfirmua edhe nga kryetari i Komisionit, deputeti socialist Eduard Shalsi, i cili tha se deputetët kanë komunikuar vetë me kompaninë.
“Deputetët tashmë kanë kërkuar informacion, në dijeninë time ka dhe deputetë që kanë komunikuar me kompaninë. Janë kërkuar shpjegim, së bashku me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese mund të organizojmë një dëgjesë”, u shpreh Eduard Shalsi.
* Sekuenca në videon e mëposhtme, në minutën 25:45