Megjithëse në distancë mbi 1 mijë e 700 kilometra, konflikti mes Izraelit dhe Hamasit pritet të përcjellë efekte ekonomike edhe në Shqipëri.
Me shtetin në Lindjen e Mesme Shqipëria ka marrëdhënie të drejtpërdrejta ekonomike në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. Gjithashtu në vend numëron 52 biznese me kapital financiar izraelit.
“Duke qene se ne importojmë shumë, nëse çmimet e mallrave dhe shërbimeve rriten si pasojë e luftës, atëherë ne do të paguajmë më shumë. Çmimet do të rriten dhe inflacioni po ashtu”, u shpreh Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-gusht Shqipëria importoi nga Izraeli mallra në vlerën e mbi 23 milionë eurove. Pjesa më e madhe, 15 milionë u paguan për të blerë karburant, pasuar nga pjesët e këmbimit dhe ushqimet.
Efektet e konfliktit në Lindjen e Mesme pritet ta godasin Shqipërinë në dy mënyra. “Pak në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kryesisht në mënyrë të tërthortë. Efektet po ndihen në tregjet europiane nga ku Shqipëria importon më shumë. Kjo rrjedhimisht na bën më të ekspozuar”, tha Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve.
Efektet e para të konfliktit Izrael-Hamas u ndien në tregun e karburanteve. Çmimi i naftës u rrit këtë fillim-javë në mbi 87 dollarë për fuçi nga rreth 81 dollarë javën e shkuar.
“Pamë një rritje me 4 dollar në pak orë. kjo edhe si pasojë spekulimeve. Gjykoj se nuk do të zgjasë shumë kjo luhatje”, tha Caslli.
Ndonëse në nivele minimale, efektet e shtrenjtimit të karburanteve po ndihen edhe në Shqipëri. Çmimi i naftës ka arritur në 199 lekë për litër. Ekspertët vlerësojnë se nëse konflikti do të përshkallëzojë mund të përballemi sërish me çmime të rritura.(A2)