Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri ka ironizuar mbledhjen e grupimit të Sali Berishës me mbështetësit e Gazment Bardhit, duke i cilësuar si të kapur nga kryeministri Edi Rama përmes oligarkëve.
Pampuri shkruan në një postim në Facebook se opozita e Berishës merr natën leje nga Edi Rama për ndërtimin e kullës 64-katëshe në Tiranë, dhe ditën sulmon Partinë Demokratike, po për llogari të Edi Ramës.
Pampuri i referohet kullës më të lartë në Shqipëri, “Mal” që do të ndërtohet në Tiranë, dhe që siç është përfolur, pas saj qëndrojnë biznesmenë të lidhur ngushtë me familjen e Sali Berishës.
Reagimi i plotë i Pampurit:
Natën marrin leje ndërtimi nga Edi Rama për kullën 64 kate, dhe ditën dalin e sulmojnë PD për llogari të Edi Ramës.
Opozita e vërtetë është ajo që lufton për hallet e qytetarëve dhe jo ajo e oligarkëve të përbashkët që i mban dhe i financon!
Opozita e vërtetë janë ata që çdo ditë janë pranë qytetarëve, dhe jo opozita e kullave dhe e marrëveshjeve të fshehta!
Opozita e vërtetë është ajo e njerëzve të pastër, që të vetmin pakt e kanë me qytetarët, të tjerët që kalkulojnë se ku do të jenë në 2025, le të marrin përsipër dhe kusuret.
Aleanca e kullave dhe e non gratave nuk do ta mbajë dot peng PD dhe demokratët.