
Një stuhi e papritur ka përfshirë disa qytete të vendit, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe përmbytje në akse të rëndësishme rrugore. Tirana, Durrësi dhe Vlora janë më të prekura nga moti i keq.
Tiranë
Një stuhi e fortë me erë dhe shi ka ‘goditur’ kryeqytetin, duke bllokuar menjëherë disa akse rrugore. Trafiku është paralizuar në pika kyçe, ndërsa objekte të peshave të lehta janë marrë nga era dhe kanë përfunduar në rrugë, duke rritur rrezikun për qytetarët.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të kufizojnë lëvizjet dhe të dalin vetëm në raste të domosdoshme, pasi situata konsiderohet e rrezikshme për sigurinë publike.
Durrës
Vetëm pak minuta reshje shiu kanë mjaftuar për të përmbytur disa akse rrugore, duke shkaktuar kaos në qarkullim. Situata më problematike është regjistruar në lagjet nr. 13, nr. 14 dhe nr. 16, pranë stadiumit.
Pavarësisht paralajmërimeve për stuhi, autoritetet nuk kanë marrë masa paraprake. Për pasojë, qyteti është përmbytur brenda pak minutash, ndërsa ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, duke krijuar një erë të padurueshme dhe duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Vlorë
Pas ditëve me zjarre, Vlora tashmë rrezikon përmbytje – një fenomen i përsëritur për qytetin bregdetar. Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos lënë makinat në rrugë, pasi kanalizimet shpesh dështojnë në përballimin e prurjeve të ujit.
Kryebashkiaku Ermal Dredha ka apeluar për vigjilencë, por qytetarët shprehen se masat e marra janë më shumë këshilla sesa zgjidhje konkrete.
Sipas Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, gjatë 24 orëve në vijim priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në zonën e Vlorës./korrieri