
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i finalizuar pak ditë më parë ku u godit një grup i dyshuar si ndër më aktivët në trafikun e drogës në Europë, përmes Amerikës Latine. Në qendër të hetimeve ndodhen vëllezërit Ervis dhe Ardjan Çela, por përveç tyre një tjetër emër që doli në dosje është Fadil Balla, i njohur ndryshe si “Shijaksi”.
Por hetimi është zgjeruar edhe më shumë ku sekuestrimi i 17 tonëve kokainë dhe aseteve, mes tyre edhe “Ajman Park Resort”, ka zbuluar përfshirjen e Raiffeisen Bank.
Gjatë prezantimit të raportit të SPAK në vitin 2024, kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani, deklaroi se bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri janë të përfshira në skemat e pastrimit të parave.
Deklarata e Dumanit (2024): Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare që të integronte të ardhurat në sektorin bankar, përmes shtresëzimit të transfertave që do të kalonin nëpërmjet këtij biznesi.
Pikërisht skema që tregoi Dumani, merr kuptim në rastin e “Shijaksit”. Sipas dokumenteve të siguruara nga weblajm.com, rezulton se të gjitha aksionet dhe të drejtat pasurore që dispononte Fadil Balla, i janë kaluar Raiffeisen më datë 25 prill 2023. Ky transferim është bërë afro dy vite para goditjes dhe aksionit të SPAK, periudhë që përkon edhe me nisjen e hetimeve ndaj anëtarëve të grupit ku bënte pjesë Balla.
Kalimi i aksioneve është kryer pasi Balla kishte marrë një kredi në Raiffeisen Bank dhe si garanci për shlyerjen e saj kishte lënë aksionet e tij në masën 100% të “Ajman Park”. Kjo pasuri, që nga data 14 gusht, ka kaluar në administrimin e shtetit si pronë e sekuestruar, ndërsa banka që kishte dhënë kredinë është njoftuar për këtë veprim.
Pjesë e hetimeve për pastrimin e parave dhe trafikun ndërkombëtar të drogës do të jetë edhe kontrata e kredisë së dhënë këtij biznesi nga Raiffeisen Bank. Fadil, alias Julian Balla, është shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Prej vitesh ai njihej në Shqipëri si ish-president i klubit të futbollit “Erzeni”, si dhe si biznesmen e pronar i “AMR Ajman Park”.
Hetimet, përmes zbërthimit të aplikacionit “SkyECC”, zbuluan se Ervis Çela dhe Franc Çopja ishin krerët e organizatës. Kokaina nisej nga Paraguai, përmes portit të Villetas dhe më pas sillej në Europë në portet e Belgjikës, Holandës, Gjermanisë dhe Spanjës. Një ditë më parë, GJKKO konfirmoi masën “arrest në burg” për Ervin Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja, ndërsa 5 të tjerë janë të shpallur në kërkim.