
Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e djeshme (18 gusht) në Bilisht, ku një 59-vjeçar humbi jetën menjëherë pasi doli nga një klinikë dentare. I ndjeri kishte shkuar për një mbushje dhëmbi, por sapo procedura përfundoi, 59-vjeçari është ankuar disa herë për gjendjen shëndetësore, duke thënë: S’jam mirë.
Ai është rrëzuar papritur në tokë jashtë klinikës, duke humbur jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat dentistin 36-vjeçar, ndërsa pritet të dalë ekspertiza mjeko-ligjore për sqarimin e vdekjes së 59-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:10, në rrugë është marrë dhe është transportuar nga urgjenca e spitalit, pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi Sh. D., 59 vjeç, banues në Progër.
59-vjeçari, rreth orës 17:00, ka qenë për mjekim dentar, në një klinikë ku është trajtuar nga dentisti, shtetasi B. L., 36 vjeç.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll është shoqëruar 36-vjeçari, për t’u pyetur në lidhje me rastin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 59 vjeçarit.