Një ‘i penduar i drejtësisë’ merr përsipër shpluhurosjen e shumë dosjeve kriminale në të cilat ka qenë dhe vetë i përfshirë, në këmbim të uljes së dënimit, por parimi që kurrsesi nuk duhet të shkelet është fakti se ai që ‘dorëzon shokët’ para autoriteteve, duhet të mbetet anonim. Por, kjo gjë, duket se nuk gjen shumë vend për zbatim në Shqipëri, pasi thuajse të gjithë të penduarit e drejtësisë janë lakuar me emër e figurë në media, madje jo pak herë, dëshmitë kanë prekur faqet online shumë më shpejt se të bëheshin gati prangat për të përmendurit…
ARTAN TAFANI
Rasti më i freskët është ai i një nate më parë.Artan (Marjus) Tafani, i shpallur në kërkim për grabitjen e rreth 40 mijë eurove në një Exchange në Astir, ngjarje e ndodhur në 24 qershor në Astir, ka ka vendosur të zbërthejë ngjarje gjashtë vrasje të bujshme në vend dhe mjaft ngjarje të tjera që pa dëshminë e tij, ndoshta do të mbeteshin thjesht një statistikë më shumë. Ndërkohë që në Malësinë e Madhe, Shkodër dhe Shijak ndodhën tre vrasje njëra pas tjetrës, Policia e Shtetit kishte gati ‘asin nën mëngë’, arrestimin e Tafanit, i cili prej ditësh ndodhej pas hekurave, por vetëm mbrëmë iu bashkua listës së ‘tradhtarëve’ që kanë shkatërruar mjaft grupe kriminale.
Por nuk është i pari. Para tij, para prokurorisë kanë dëshmuar disa të tjerë emra, që kanë zbardhur vite pasi krimi ka ndodhur, autorët dhe porositësit.
Le të kthehemi pas në kohë….
ADRIATIK COLI
Adriatik Coli, i penduari i “Bandës së Durrësit”, u arrestua në vitin 2006 dhe dëshmia e tij dërgoi pas hekurave 16 të pandehur, mes tyre dhe Lulzim Berishën dhe Indrit Doklen, të cilët sot, pavarësisht rrëfimit, janë të lirë. Vetë Coli gjithashtu i është rikthyer jetës së tij, pasi vuajti dënimin prej vitesh dhe ajo ç’ka thuhet nën zë, është se i është ndryshuar identiteti dhe sipas marrëveshjes së bërë me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve e Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, është dërguar jashtë Shqipërisë. Kronologjia e ngjarjeve ka treguar se persona të tillë përndiqen kudo që të shkojnë, por Coli deri më tani u ka ‘shpëtuar’ bashkëpunëtorëve të vjetër.
LUFTA REÇI
Luftar Reçi, njeriu që dy vrasjet e bujshme ia faturoi ‘Bandës së Durrësit’, ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame dhe rivalit të Lul Berishës, Klodian Saliu, shumë herë ka shkuar buzë vdekjes, pasi kanë tentuar ta helmojnë edhe në qeli. Reçi pranoi me dëshirë të plotë të rrëfejë ngjarjet e 26 dhe 27 shkurtit të vitit 2005, ku sipas tij, ai bashkë me Plaurent Dervishajn, Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Indrit Taullain dhe Emiljano Shullazin, kanë realizuar atentatet ndaj Lamajt dhe Saliut. ‘Asgjë nuk harrohet’ mori emrin operacioni në kuadër të të cilit u lëshuan dhe ekzekutuan urdhër-arrestet për Emiljano Shullazin (i cili ndodhej pas hekurave për të tjera ngjarje), Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin, ndërsa Lul Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj u arratisën jashtë vendit. Fakti që Reçi foli, nuk harrohet gjithashtu!
NUREDIN DUMANI
Mbrëmjen e 29 marsit 2022, Nuredin Dumaniishte nisur për në Papër për të kryer atentatin e radhës, por në fakt ra vetë pre e një prite pasi u tradhëtua nga të besuarit e tij dhe u përball me plumbat. Plagosja e bëri më vulnerabël për autoritet dhe me një plumb në trup pranë shtyllës kurrizore, Dumani kishte dy zgjedhje, të fshihej e kurohej, ose të dorëzohej. E para nuk i funksionoi, kështu që Dumani u vu në pranga pasi u gjet brenda një apartamenti, i fashuar dhe me një pamje të tjetërsuar, për ta pasur më të lehtë qarkullimin e tij në Shqipëri. I shumëkërkuari që deri në atë mbrëmje përflitej për armiqësinë e fortë me Talo Çelën, me të cilin kishte ndarë gjithçka vendosi të zbërthente më shumë se 12 ngjarje kriminale. Dëshmia e tij solli operacionin ‘Plumbi i artë’ dhe u goditën plot tetë grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan që kishin organizuar krimet ndër më të rëndat të viteve të fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje. Por, ‘kokat’ sërish shpëtuan. Si gjithmonë, falë korrupsionit në radhët e bluve e jo vetëm, janë një hap para dhe si një rastësi e madhe, thuajse të gjithë të shumëkërkuarit e të akuzuarit si krerë bandash, nuk ishin në Shqipëri!
Florenc Çapja ishte në Dubai; Suel Çelagjithashtu; Talo Çela pa asnjë gjurmë, Ervis Martinaj u zhduk më 9 gusht 2022…
Paralelisht me Dumanin, nisën të rrëfeheshin edhe të tjerë, Klevis Alla, Skerdi Tase, Euglen Halili, Erjon Alibej dhe Henrik Hoxhaj, por ky i fundit e këputi zinxhirin. Hoxhaj dha dëshmi kontradiktore që nuk përputheshin me rrëfimin e Dumanit në shumë raste, duke ngritur dyshimet se po vijonte tu shërbente grupeve kriminale edhe nga qelia. Kjo gjë solli dhe vendimin e SPAK për të ndaluar në mënyrë të menjëhershme bashkëpunimin me Hoxhajn dhe heqjen e statusit të të penduarit të drejtësisë.
HENRIK HOXHAJ
Henrik Hoxhaj kishte pasur gjatë gjithë kohës rolin e ‘ushtarit’ të Dumanit, por ajo që bëri ishte të fliste vetëm për ngjarje që kishte dëshmuar, të cilat ishin kryer nga persona të tjerë, por që vetë ai nuk kishte pasur asnjë rol aktiv. Porosi? Nuk do të ishte aspak e habitshme! Nga kush?
Drejt ‘kupolës’ të çon zinxhiri, historiku i Hoxhajt tregon se nga kush është paguar dhe se cilit rrjet i ka shërbyer si ‘killer’ apo informator, gjë që na sjell në të njëjtin përfundim që përmendëm dhe më lart…bërja publike e të penduarve të drejtësisë nuk sjell asnjë dobi, veç transformim e shtrembërim të historisë, që vjen si pasojë ekërcënimit të familjarëve të tyre apo të faktit që në të vërtetë, nuk janë penduar aspak!