Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për CdM, thotë se inkursioni i Grupit Banjska në veri të Kosovës mund të pritej duke pasë parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.
“Grafiti ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’ si njoftim ka vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brenda Serbisë. Më pas ishte fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregon se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet 1990 kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë, çdo veprim dhe synim u shpall në media”, shpjegon Biserko, transmeton Express.
Ajo nënvizon se po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka pasë një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të bëjë ndarjen e Kosovës.
“Në fund të fundit ky është një opsion që mbështetet pothuajse nga e gjithë elita politike dhe akademike, shërbimet, ushtria, një pjesë e madhe e sektorit civil dhe sipas raportimeve edhe media”.
“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, thotë Biserko për CdM.
Ndonëse, siç shton ajo, Vuçiq po përpiqet të mbrohet dhe të kalojë përgjegjësinë te serbët e Kosovës, të cilët gjithsesi janë pengjet e tij, duke pretenduar se ai nuk e kontrollon Kosovën – të gjitha informacionet tregojnë se Beogradi ishte i implikuar.
Sipas Biserkos, Rusia sigurisht që ka një interes në manovrimin e Ballkanit dhe krijimin e tensioneve dhe hapjen e pikave kritike në mënyrë që të largojë një pjesë të vëmendjes nga Ukraina. Është indikative, thekson ajo, se të nesërmen Vuçiq priti ambasadorin rus për t’u ankuar se Kurti po përgatiste “spastrimin etnik të serbëve”.
“Kisha Ortodokse Serbe reagoi me shpejtësi me njoftimin e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit dhe ishte e para që tregoi publikisht se një grup i panjohur dhe i maskuar hynë në oborrin e kishës në Banjskë”, thotë Biserko.
Ajo thekson se edhe komuniteti ndërkombëtar është përgjegjës për tolerimin e gjatë të sjelljes së presidentit serb Vuçiq dhe kërcënimeve të tij ndaj fqinjëve, të cilat janë të përditshme dhe që pashmangshmërisht çuan në konflikt.