
Flukset turistike gjatë këtij muaji janë më shumë të fokusuara tek turizmi i relaksit, duke zgjedhur pushimet buzë detit sipas udhërrëfyesve të sektorit turistik. Vendin tonë, gjatë verës po e vizitojnë grupmosha të ndryshme dhe dominojnë grupet familjare.
“Korriku dhe gushti, janë si me thënë, muajit që preferohet më shumë turizmi familjar, turizmi i pushimeve buzë detit. Të gjitha grupmoshat e të gjitha kombësitë, fokusohen më shumë tek turizmi i relaksit, por ka dhe disa që preferojnë turizmin malor, se ka ajrin e freskët e temperatura më të ulëta”, u shpreh në një intervistë televizive Brisejd Lalaj, udhërrëfyes turistik kombëtar.
Vizitorët kryesorë nga vendet europiane mbeten italianët, ndjekur më pas nga spanjollët dhe francezët.
“Sigurisht që italianët mbeten fluksi më i madh. Edhe spanjollët, polakët gjithashtu, francezët dhe gjermanët”, tha Lalaj.
Turistët që shpenzojnë më shumë gjatë qëndrimit në Shqipëri janë ata të Evropës Perendimore, SHBA-të dhe Kanadaja.
“Turistët që kryesisht… vijnë nga vendet perëndimore, ose nga Amerika, Australia, Kanadaja, janë turistë që shpenzojnë më shumë. Kryesisht edhe pjesa e Evropës veri-perëndimore, Britania, Gjermania, janë vende që shpenzojnë më shumë, Holanda. Ndërsa, pjesa e Evropës juglindore nuk shpenzon shumë”, tha Lalaj.
Sipas udhërrëfyesve të sektorit të turizmit, korriku dhe gushti janë muajit që arrijnë pikun e vizitorëve që zgjedhin vendin tonë për pushimet e tyre verore.