Zbardhen detaje të reja nga vrasja dy net më parë në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Hot i Ri. Valter Fierza u ekzekutua pas debatit të vëllait me pesë persona të tjerë për parkimin e makinës.
Klevis Fierza ishte konfliktuar me tre vëllezërit Klodjan Mëhillin, Paolo Mëhillin, Luçian Mëhillin, kushëririn e tyre Aleksandër Mëhillin dhe Enton Dushaj.
Njëri nga vëllezërit Mëhilli, Klodjani ka nxjerrë një armë zjarri pistolete duke ia vendosur në gjoks, Klevis Fjerzës. Në këtë moment kanë ndërhyrë dy shokët e këtij të fundit Gjok Qukaj dhe Agostin Lugaj.
Valter Fierza është nisur në drejtim të ngjarjes me automjetin “Nissan Navara”. Por në të njëjtën kohë, Klodjan Mëhilli ka shkuar në makinën e tij dhe ka marrë një armë tjetër automatike kallashnikov, të cilën e mbante në automjetin foristradë.
Mëhilli ka qëlluar në drejtim të automjetit që drejtohej nga Valter Fjerza, ku si pasojë e të shtënave, ky i fundit ka marrë plumb në kokë, duke humbur jetën në vend.