Azerbajxhani nisi një operacion të ashtuquajtur “anti-terrorist” në zonat e rajonit Nagorno-Karabakh-ut ku jeton popullsi etnike-armene. Tensionet në Kaukazin e Jugut kanë qenë të larta për muaj të tërë rreth enklavës separatiste, e njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit. Bakuja e bëri të qartë se ofensiva do të ndalet vetëm pas dorëzimit të trupave të mbështetura nga Armenia.
“Formacionet e paligjshme ushtarake armene” duhet të ngrenë flamurin e bardhë, të dorëzojnë të gjitha armët si dhe të shpërndahet” regjimi i paligjshëm”, tha presidenca e azere në një deklaratë. Por Azerbajxhani është në prag të kryerjes së gjenocidit aty pasi synon të largojë popullsinë vendase armene dhe ta zëvendësojë atë me azerë etnikë.
Azerbajxhani dhe Armenia fillimisht hynë në luftë në fillim të viteve 1990 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Nagorno-Karabakh-ut, ndërsa më pas ra dakord për një armëpushim të monitoruar nga paqeruajtësit rusë.
Armenët etnikë në Karabakh bënë thirrje të martën për një armëpushim dhe për fillimin e bisedimeve. Por është e qartë nga ultimatumi i Azerbajxhanit se qëllimi është përfundomini i pushtimit e enklavës. Kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi Azerbajxhanin për fillimin e një operacioni tokësor që synon “spastrimin etnik”.
Qindra protestues armenë, të zhgënjyer nga përgjigja e qeverisë, u përleshën me policinë jashtë parlamentit në Jerevan, duke akuzuar kryeministrin Pashinyan si tradhtar dhe duke kërkuar dorëheqjen.
Rreth 120,000 armenë etnikë jetojnë në enklavën malore. Rusia tha se ushtarët e saj po evakuonin civilët nga Karabaku. Për nëntë muajt e fundit Azerbajxhani ka vendosur një bllokadë në të vetmen rrugë kalimi për në enklavë nga Armenia, e njohur si Korridori i Laçinit.
Azerbajxhani tha se kishte nisur operacionin e tij në përgjigje të vdekjes së gjashtë personave, përfshirë katër policë, në dy shpërthime fatale të minave tokësore të martën në mëngjes.
Më pas ranë sirenat e sulmit ajror dhe zhurma e artilerisë dhe e armëve u dëgjua në qytetin kryesor të Karabakut. Zyrtarët e Karabakut thanë se pesë persona ishin vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Tensionet po ndodhin në një kohë marrëdhëniesh të acaruara ndërmjet Armenisë dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë dhe dyshimet janë se Bakuja ka marrë miratimin e Putinit për fillimin e operacionit ushtarak.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i hodhi poshtë pohimet se Rusia ishte njoftuar paraprakisht dhe shtoi se paqeruajtësit rusë ishin njoftuar vetëm “pak minuta” para se të fillonte sulmi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Azerbajxhanit që të ndalojë menjëherë operacionin e tij dhe e akuzoi qeverinë azere për përkeqësimin e gjendjes humanitare në rajon. Bashkimi Europian, Franca dhe Gjermania dënuan gjithashtu veprimin ushtarak të Azerbajxhanit, duke i bërë thirrje atij t’iu kthehet bisedimeve.