Gruaja e Eduard Mehmetaj, njërit nga personat e shpallur në kërkim gjatë operacionit antidrogë në Fier, ku policia sekuestroi 30 kg hashash dhe 500 gramë kokainë, rezulton të ketë bashkëpunuar dhe treguar në polici për aktivitetin kriminal të burrit të saj.
Gjatë këtij aksioni të kryer 10 ditë më parë, u arrestua Osmën Mehmetaj, babai i Eduardit dhe Panajot Shahaj, komshiu i personit të shpallur në kërkim Eduard Mehmetaj. Në dosje, del se mjaft të dhëna për identifikimin e personave ka dhënë gruaja e Eduardit, shtetasja Elsa Mehmetaj.
Sipas saj, automjeti tip “Volvo” ku policia gjeti lëndën narkotike, është i rregjistruar në emër të burrit të saj Eduartit, por nuk e ka blerë ai vetë. Sipas dëshmitares mjetin e kanë blerë shokët e burrit, për të cilët nuk ka dijeni se, si quhen dhe se nga janë. “…automjeti ka rreth dy muaj i parkuar dhe nuk ka lëvizur që nga dita që është parkuar. Në lidhje me makinerinë e presimit nuk e di se e kujt është, por atë e ka sjell Eduardi në shtëpi me mjetin e tij tip “Audi”, rreth dy muaj më parë….
Me makinerinë e presimit të pakove me lëndë narkotike, Eduarti ka paketuar në 7 shtator 2023 së bashku me Asqeri Shahaj i cili është gjitonë i lagjes tonë…”, ka rrëfyer Elsa Mehmetaj.
Kjo e fundit ka vijuar dëshminë e saj në polici se lëndën narkotike Eduarti e ka sjellë një ditë para, se në shtëpi të shkonte policia. Po atë natë ka bërë paketimin dhe vendosjen në makinën “Volvo” të pakove së bashku me Asqeri alias Panajot Shahaj.
Eduard Mehmetaj, merrej me izolimin e soletave të shtëpive dhe lyerjen e makinave. Persona të tjerë kanë çuar në servisin e tij një automjet “Volvo”, duke e kontraktuar atë të kryejë modifikimet e mundshme me qëllim fshehjen e 30 kg hashash dhe 500 gramë kokainë, me qëllim trafikimin e saj në drejtim të Greqisë.
Por në dijeni të këtij plani është vënë dhe policia e Fierit, duke arritur të zbulojë makinën dhe sasinë e drogës. Për këtë ngjarje është arrestuar babai dhe komshiu i Eduard Mehmetaj./Ora