Autoritetet italiane kanë goditur dy grupe kriminale shqiptare në Milano. Klani shqiptar në Milano drejtohej nga fisi “Lusha” e “Goseni”. Konkretisht 49-vjeçari Eduart Goseni dhe banda e Shkëlqim Lushës 57 vjeç.
Në një moment del në skenë nëna e Eduart Gosenit, Dëshira, ajo që nxiton nga Shqipëria për të ndihmuar djalin e saj pas arrestimit. Jo vetëm për ta ngushëlluar por për ta “ndihmuar” në organizimin e trafikut të drogës. “Puno pak më ndryshe, mos i beso askujt derisa të zgjidhësh problemet që ke…”, këshillon të birin.
Hetimet nisën në prill 2020, pas një letër-porosie të autoriteteve zvicerane. Baza e tyre ishte në Milano, por degët shtriheshin në të gjithë Italinë Veriore, por deri në Kalabri dhe Zvicër. 16 shqiptarë u arrestuan dje.
Plot 200 karabinierë morën pjesë në operacionin e arrestimeve që u ndërmor të mërkurën e 13 shtatorit 2023 ku u kryen 40 kontrolle, u sekuestruan të ardhurat e veprimtarisë së trafikut të drogës, që kapin vlerën e qindra mijëra eurove.
Trafiku i heroinës dhe kokainës bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve. Banda furnizonte me drogë rrjete shpërndarësish në territorin Italian dhe Zvicër, pjesa më e madhe ishin shpërndarës me origjinë afrikane.
Gjatë operacionit që u ndërmor në Bergamo, Monza, Brianza, Torino e Verona u sekuestruan 42 kg heroinë, kokainë e hashash, 2 pushkë, dhe 50 mijë euro. Gjithashtu u identifikua dhe një apartament i cili përdorej si rafineri droge si dhe magazinë për të ruajtur ngarkesat e drogës.