
Sulmohet me breshëri automatiku CFO Pharma e Nadir Çausholli, “mesazhi” i autorëve
Një sulm me armë zjarri automatik është regjistruar në mëngjesin e kësaj ta marte në zonën e Mëzezit në Tiranë. Policia bën me dije se është qëlluar me breshëri të gjata automatiku në drejtim të godinës së kompanisë farmaceutike CFO Pharma.

Kompania në fjalë është në pronësi të Nadir Çaushollit, një emër mjaft i përfolur për problemet me drejtësinë, ndërkohë që disa vite më parë edhe u arrestua pas një skandali mashtrimi me rimbursimet.
Godina është qëlluar në pjesën e fasadës së xhamitj ku edhe janë të dukshme gjurmët e plumbave të shumtë që janë derdhur në drejtim të saj.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orë 02:00 të mëngjesit. Mësohet se autorët kanë qenë me një automjet, të cilët janë parë nga roja e godinës dhe pasi kanë lëshuar breshëri plumbash në lëvizje drejt godinës, janë larguar në drejtim të paditur.

“CFO Farma” ndodhet në zonën e Kasharit, buzë autostradës Tiranë-Durrës. Ndërkaq, deri në këtë fazë të hetimit asnjë person i dyshuar, teksa policia e Tiranës zbardh detajet paraprake lidhur me ngjarjen, ndërsa duket se autorët kanë dashur të dërgojnë një mesazh nisur nga ora e sulmit, por edhe goditja vetëm e fasadës duke u kujdesur që shenjat të jenë të dukshme.
Kush është Nadir Çausholli, nga arrestimi te autobusët e Tiranës
Disa vjet më parë, kur ai drejtonte shoqërinë “Omega Pharma”, u arrestua si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve në një vlerë mbi 2 milionë euro.
Pasi bëri disa muaj paraburgim, Nadir Çausholli u lirua nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Ai iu rikthye biznesit farmaceutik, duke ndryshuar emrin e shoqërisë, nga “Omega” tek “CFO Pharma”.
Me lidhjet e duhura, sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Çausholli zgjeron biznesin e tij, duke u përfshirë në fushën e shërbimit të autobusëve urbanë.
Edhe këtu nuk i shpëton kronikës së zezë. Autobusët e Çaushollit, të cilët operojnë në linjën e Unazës së mesme Tiranës, janë përfshirë shpesh në aksidente.
Njëri prej tyre ka qenë më spektakolari i ndodhur në Shqipëri, por që bëri lajm edhe në median ndërkombëtare. Mbrëmjen e 30 Prillit 2022, autobusi i Unazës, në pronësi të Çaushollit, u rrëzua në Lanë, fatmirësisht pa pasojë në jetë njerëzish.
Veliaj, për të amortizuar sa më shumë efektin dëmtues ndaj imazhit të mikut të tij, Çausholli, u shfaq në media dhe deklaroi se “autobusi do të bëhej një lloj instalacioni artistik”, ndërkohë që nuk foli për asnjë lloj përgjegjësie apo penaliteti mbi kompaninë “CFO Pharma”, e kontraktuar nga vetë kryebashkiaku për të kryer shërbimin në Tiranë.
Kjo tolerancë e Veliajt bëri që autobusët e Çaushollit të ndiheshin “mbret” në rrugët e kryeqytetit. Madje, falë këtij “mbretërimi”, një tjetër mjet i flotës së Nadirit aksidentoi rreth 10 automjete, në mes të ditës, në zonën e Shallvareve, në 27 Shkurt 2023.
Gjithashtu, me ndihmën e Edi Ramës, Nadir Çausholli është shndërruar edhe në fermer. Natyrisht, jo fermer i rangut të ulët, të cilit i duhet të punojë me parmendë. Por, një fermer i sërës së lartë, me biznes agroturizmi.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit. /korrieri