
Ethet elektorale kanë përfshirë partitë politike në vend, ndërsa brenda të mërkurës të gjithë duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve në KQZ.
Në kampin socialist, Edi Rama ka paralajmëruar një “uragan” politik, duke përfshirë të rinj në listat e mbyllura dhe duke lënë veteranët të garojnë mes tyre në listat e hapura.
Por si në çdo furtunë, ka edhe disa emra që dalin më shumë në sipërfaqe. Një ndër ta është zv/ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ceno Klosi, një emër që ka bërë xhiron e mediave si prurje e re në listat e PS-së.
Kjo kandidaturë ka shkaktuar habi jo vetëm brenda radhëve socialiste, por edhe në opinionin publik. Arsyeja? E thjeshtë, Klosi është aktualisht nën hetim nga SPAK për katër vepra penale, korrupsion, shpërdorim detyre, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
Po kush është Ceno Klosi?
Klosi është një nga njerëzit më besnikë të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke shërbyer në disa poste strategjike dhe, sipas të dhënave, duke lënë pas edhe një sërë dëmesh ekonomike. Ai është nën hetim të thelluar nga SPAK pas dy kallëzimeve të opozitës, ndërsa është marrë në pyetje në fund të tetorit të kaluar.
Kush e “mbron” Klosin?
Kur opozita e denoncoi për dy afera, një tjetër institucion kushtetues, KLSH, zbuloi abuzimet e tij në krye të Tatimeve, OSHEE dhe Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, duke kërkuar largimin e tij. Dhe çfarë ndodhi? Sigurisht, ai nuk u shkarkua, përkundrazi, u mor në mbrojtje nga “shefja” Balluku, e cila për të përforcuar këtë mbrojtje duket se synon ta marrë me vete në listat e PS-së në Fier.
Pse Belinda Balluku nuk e “shet” Ceno Klosin?
Kjo është një pyetje për një milion dollarë. Çfarë e bën aq të rëndësishëm këtë zyrtar për Partinë Socialiste jo dhe aq por për vetë Ballukun? Çfarë kontributi politik ka ai për të merituar një vend të sigurt në listë? Apo ndoshta në këtë marrëdhënie shef-vartës ka diçka më shumë se thjesht profesionalizëm dhe besnikëri politike?
Nëse ka diçka të qartë, është fakti që Ceno Klosi nuk ka një lidhje organike me Partinë Socialiste. Përkundrazi, ai mund të rezultojë një faturë e shtrenjtë për socialistët e qarkut Fier./tvanews