Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar së fundmi një raport të gjatë duke analizuar gjendjen në shoqërinë shtetërore të naftës në Shqipëri, Albpetrol.
Konkluzionet janë të qartë. Kaos. Abuzime. Shkarkime dhe emërime të shumta. Pasiguri. Dhe në fund miliona që kanë shkuar në dëm të shtetit.
Ky institucion kaq i rëndësishëm në Shqipëri drejtohet nga Eltar Deda. Sot, po publikojmë vetëm disa pjesë. Gjithçka nis nga koka. Drejtuesi. Emërimët dhe shkarkimet janë pasuar nga lëvizje të shumta që kanë sjellë pasiguri, thotë raporti.
“Ndryshimet e shpeshta të Administratorëve dhe të drejtorëve të shoqërisë Albpetrol sh.a Patos, rrezikojnë të sjellin pasiguri dhe performancë të ulët te punonjësit e shoqërisë për shkak të paqëndrueshmërisë në vendin e punës.
Vihet re trendi rritës i pushimeve nga puna dhe dorëheqjeve, që për pasojë ka rezultuar në kosto shtesë në procese gjyqësore, dëmshpërblime për largimin e padrejtë nga puna, duke rënduar kështu situatën ekonomiko – financiare të kësaj shoqërie.
Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e Albpetrol sh.a Patos, për periudhën objekt auditimi janë emëruar dhe shkarkuar 6 administratorë, dhe kjo ka sjellë për pasojë emërimin dhe shkarkimin nga detyra të 35 drejtorëve të drejtorive të kësaj shoqërie për vitin 2021 dhe 24 drejtorë drejtorie për vitin 2022” thotë raporti.
KLSH thotë se Albpetrol që drejtohet nga ish-deputeti socialist Eltar Deda ka shitur naftë duke ulur çmimin dhe rrjedhimisht, edhe fitimi real i shoqërisë publike ka pësuar humbje. Gjithçka ka qenë fiktive, sipas raportit. Me pak fjalë Albpetrol ka zbritur shpenzimet e eksportit për naftën që shet në vend.
“Në tre procedurat e ankandeve të shitjes së naftës u konstatua se grupi i eksperteve, për përcaktimin e çmimit/njësi minimal fillestar të shitjes së naftës bruto ka bërë ulje shpenzimesh nga çmimi i shitjes së përcaktuar të ankandit.
Grupi i ekspertëve bën llogaritje të ndryshme për transportin me autobote në një port të caktuar, ngrohjen e naftës gjatë rrugës, siguracionin, magazinimin në port, shpenzime shkarkimi etj, duke rezultuar me një ulje në çmimin që duhet të paguajë Operatori Ekonomik fitues i ankandit të shitjes së naftës.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve që ulen nga çmimi i shitjes janë fiktive pasi nuk ndodhin se shitjet e naftës janë kryer në operatorë ekonomikë vendas dhe nuk ka pasur shoqëri të huaja që janë shpallur fitues të ankandeve” thotë raporti.
Një tjetër pikë në raport është groposja e 311 ton naftë. KLSH zbulon manovrat që janë bërë. “Sasinë prej 311.1 ton që Albpetrol sha e ka hedhur si mbetje e ka pasur në bilancin e naftës si produkt gjendje. Grupi i inxhinierëve sa më sipër ka dhënë argumente lidhur me naftën që vjen në depozitë jo me standardet e përcaktuara.
Lidhur procesin e pastrimit të depozitës nga Albpetrol sha, i është dërguar një shkresë Doganës Fier, por në procesin e hapjes së depozitës si dhe në hedhjen e mbetjeve ranore në gropën ekologjike nuk ishte prezent asnjë përfaqësues i Doganës apo inspektor i Tatimeve për të certifikuar heqjen nga produkti i gatshëm naftë sasinë prej 311.1 ton.
Vlera e naftës 311.1 ton është 17,923,404 lekë. Nga mosveprimet e shoqërisë Albpetrol sha janë evidentuar efekte ekonomike negative me dëm në vlerën 20,611,914 lekë” thotë raporti.