
Në vazhdimësi të evidentimit të konflikteve të interesit dhe abuzimet me fondet publike, që ka përfshirë bashkëpunëtorët e Belinda Ballukut, “Vetting” do të zbulojë afera të tjera që lidhen me zyrën e Ministrisë së Infrastrukturës, me drejtoreshat e Ballukut, familjarët e të cilëve marrin tenderat dhe koncesione nga vet zv.ministrat e Ballukut. Këta të fundit janë të lidhur me biznesmenë që kanë kompani në offshoret e Maltës dhe për herë të parë do hedhim dritë mbi errësirën që lidhen me tenderat e shit-blerjes në sektorin e energjisë.
Lidhjet e drejtorëve të zv.kryeministres Balluku me biznesmenët më të fuqishëm në vend nuk janë një rastësi. Drejtoreshat në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli rezultojnë të lidhura indirekt me biznesmenin Besnik Leskaj, që ka kontratë koncesioni me Ministrinë e Infrastrukturës dhe mund të përfitojë nga vendimet apo mund të monitorohet nga njësi të varura nga këto të fundit.
Prej gati 3 vitesh Erjola Muka është Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe më përparë ka punuar administratore e kompanisë publike “Albpetrol” sha, po në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërkohë bashkëshorti i saj, Redion Biba rezulton administrator i kompanisë “ABKONS” shpk në pronësi të kompanisë “Blessed Investment” e biznesmenit Besnik Leskaj dhe Redjan Bashës.
Nga ana tjetër, prej shumë vitesh Irena Malolli është Drejtoreshë e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe rezulton bashkëshortja e Sokol Malollit. Ky i fundit ka qenë i punësuar pranë kompanisë “ABKONS” shpk dhe si drejtor pranë kompanisë “IKONS”, edhe kjo në pronësi të Besnik Leskaj si aksioner kryesor dhe 25% të aksioneve në zotërim të Josif Gjanit.
Sipas avokatit Arben Llangozi, çdo lloj veprimi apo kontrate që lidhet në dukje me konflikt interesi meriton një konflikt penal.
“Konflikti i interesit në vetvete udhëzon dhe është krijuar si ligj për të udhëzuar institucionet ligjzbatuese për të filluar një hetim“, tha për “Vetting” avokati Llangozi.
Por Erjola Muka dhe Irena Malolli janë anëtare të shoqërisë publike “Hekurudha Shqiptare Sha” si përfaqësuese të Ministrisë, ndërkohë që familjarët e tyre janë drejtues te kompanitë “ABKONS” dhe “IKONS” të biznesmenit Leskaj që ka aksione te koncesioni i hekurudhës.
Ajo që ngre dyshime për konflikte interesi me detyrën është kontrata koncesionare e fituar nga vëllezërit Leskaj dhe “ALB-STAR” për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport, ku zbulohet se kompania koncesionare ka shkelur kushtet e kontratës. Realizimi i kontratës ka ngelur mbrapa me afatet dhe kjo ka sjellë probleme, ku evidentohet se Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Balluku nuk ka ngritur grupin e Njësisë së Zbatimit të Projektit.
Sipas avokatit Arben Llangozi, konflikt interesi nuk është vetëm momenti i fitimit të një prokurimi publik, por është edhe kur të gjithë zbatimin e një kontrate e cila në rastin konkret, siç e ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit është një kontratë e cila nuk është zbatuar plotësisht.
Kjo kontratë, ashtu si edhe kontratat për dy parqet fotovoltaike të vëllezërve Leskaj, që po ndërtohen në zonën e Semanit në Fier janë firmosur dhe monitorohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas auditit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Ministrinë e Infrastrukturës të treja këto kontrata kanë patur probleme me zbatimin dhe dokumentet duke ngritur dyshime për favorizim nga institucioni që drejtohet nga Belinda Balluku.
Në mars 2023, Fondi Green for Growth (GGF), i cili mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian dhe Banka Gjermane e Frankfurit KFW miratoi një hua prej 28 milionë eurosh për ndërtimin dhe funksionimin e termocentralit diellor “SPV Blue “1 në Fier, duke financuar 75% të projektit. Në qershor 2023, Enti Rregullator miratoi kalimin e pasurive të paluajtshme të kompanisë “SPV Blue 1” në favor të fondit “Green for Grovvth”.
Në Seman, kompanitë e vëllezërve Leskaj kanë përfituar sipërfaqe të mëdha toke për zhvillimin e këtyre projekteve, por Besnik Leskaj rezulton bashkëshorti i Ledia Totaj, e cila deri në nëntor 2023 për gati 7 vite ka qenë zyrtare e lartë si drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Përfitimi i lejeve për parqet fotovoltaike apo edhe për zona të caktuara ka ngritur pikëpyetje për favorizime pasi ka qenë vet Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka konstatuar probleme me kontratat për parqet fotovoltaike.
Nga ana tjetër, duke qenë se Besnik Leskaj është person i lidhur me Ledia Totaj, automatikisht është subjekt i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Sipas avokatit Redi Ramaj, personi i lidhur në kuptimin që i jep ligji për deklarimin e pasurive, raporton njësoj dhe deklaron njësoj si personi i cili është subjekti deklarues.
“Tregon të dhënat e pasurisë, lidhjet e tij me biznesin, çfarë gjeneron në vitin në të cilin po deklaron, pra çfarë pasurie ka gjeneruar”, u shpreh avokati Ramaj.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, Leskaj ka deklaruar vetëm në vitin 2017 themelimin e degës së kompanisë “IKONS GLOBAL LIMITED” në Angli, por në vazhdim nuk ka deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet me këtë kompani apo lëvizjen e aksioneve.
Por Besnik Leskaj është aksioner te kompania në Angli, nëpërmjet një dege të kësaj kompanie që e ka themeluar në 2018, në offshoret e Maltës, e cila është një parajsë fiskale për biznesmenët që duan të fshehin pasuritë e tyre.
Edhe në këtë rast, kjo kompani e cila zotëron aksione te kompania në Angli nuk është deklaruar në ILDKPKI nga Leskaj.
Nga dokumentet zyrtare, kjo kompani guackë është në pronësi të një kompanie tjetër malteze “Blessed Investment Limited”, e cila ka si pronar fundor kompaninë shqiptare “Blessed Investment” shpk. Kjo kompani është aksionere drejtpërdrejt te kompanitë e parqeve fotovoltaike, te kompania “IKONS” dhe “ABKONS” shpk, ku kjo e fundit ka marrë fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas avokatit Ramaj, rreziku në mosdeklarimin e këtyre të dhënave është vepër penale, është falsifikim i stampave, formularëve që përfshihen nga Kodi Penal si vepër penale dhe rrezikon cdo zyrtar në momentin e mosdeklarimit apo deklarimit të rremë në këto formularë të ndiqet penalisht nga prokuroria.
Në mars 2021 “IKONS” shpk së bashku me kompaninë italiane “BGP Management Consulting” spa do të përfitonte tenderin me vlerë 1 milion euro ose 107 milionë lekë për “Implementimi i aplikimeve dhe funksioneve ERP në KESH sh.a – moduli i menaxhimit financiar dhe moduli i menaxhimit të burimeve njerëzore” nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare Tiranë. Edhe kjo garë do të shënohej me flamur të kuq, pasi do të skualifikoheshin të gjithë konkurrentët duke u shpallur konsorciumi i kompanive italo-shqiptare fitues.
Për tenderin pati ankesa, të cilët u refuzuan nga administratori Besjan Kadiu.
Zv.ministrat i “japin” tenderin burrit të drejtoreshës së Ballukut
Në 15 korrik 2024, biznesmeni Nursen Metuli do të themelonte kompaninë “Ucrypt”, e cila ka si veprimtari Dizenjimin dhe përshtatjen e sistemeve të Sigurisë kibernetike dhe sigurimi i netvvork dhe datacenter nga sulmet kibernetike dhe çdo dëmtim i pronës digjitale. Pas disa javësh, Metuli do t’i rishpërndante aksionet duke i kaluar 30% të aksioneve në emër të kompanisë së vet “A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” dhe 70% të tyre kompanisë “EURO TECHNOLOGY” me një vlerë simbolike prej 7 mijë lekësh ose 70 euro, duke ngritur dyshime për qëllimin e transaksionit.
Sipas avokatit Arben Llangozi kemi dyshime të cilat çojnë në disa vepra penale, si dyshimi është i pabarazisë në tendera që mund të jetë i diskutueshëm, por mund të kemi dhe dyshime për veprën penale të korrupsionit.
“Në pamje të parë ky duket një transferim i zakonshëm, por djalli fshihet në detaje. Kompania “EURO TECHNOLOGY” është themeluar në fillim të dhjetorit 2017 nga Elno Rrapaj, i cili në 13 shtator 2021 ia ka shitur kompaninë Egmont Ngjelës. Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, Egmont Ngjela është bashkëshorti i Kledia Ngjelas, ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë Rregullatore dhe Përputhshmërisë në Infrastrukturë dhe Energji prej disa vitesh në Ministrinë e Infrastrukturës nën varësi të Belinda Ballukut.
Dyshimet e para lidhen edhe me nepotizmin pasi Egmont Ngjela ka qenë jurist te kompania publike AlbControl, ndërkohë që nga korriku 2021 deri në fillim të vitit 2022, e shoqja Kledia Ngjela ka qenë anëtare e bordit të Albcontrol, periudhë në të cilën kompania “A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” ka përfituar disa tendera.
“Në rastin konkret duke qenë se kemi lidhje të drejtpërdrejtë midis bashkëshortes dhe një personi i cili ka fituar tendera, atëherë duhet parë lidhja reale me këtë kompani, nëse kjo kompani që ka fituar këto tendera i përket me të vërtetë këtij zotërie apo bashkëshortit apo bashkëshortes që aktualisht është dhe drejtoreshë e përgjithshme”, u shpreh për “Vetting” avokati Llangozi.
Por ajo që është flagrante është fakti se zv.ministrat e Ballukut, Ceno Klosi dhe Ami Kozeli rezultojnë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku Ceno Klosi është Kryetar i Këshillit prej korrikut 2024 dhe Ami Kozeli prej vitit 2023.
Sipas nenit 16 të statutit të shoqërisë publike OSHEE-ja është e ngarkuar me mbikëqyrjen e veprimtarisë së Administratorit, merr dhe jep vendime nga Asambleja, ekzekuton vendime. Madje administratori i shoqërisë zgjidhet ose shkarkohet nga Këshilli i Mbikëqyrës i OSHEE-së dhe sipas nenit 20, pika 3 e statutit të OSHEE-së, administratori duhet të marrë miratimin paraprak nga Asambleja e Përgjithshme ose Këshilli Mbikëqyrës përpara marrjes ose zbatimit të ndonjë vendimi specifik.
Por çfarë ka ndodhur në rastin konkret?
Disa javë pas emërimit të Ceno Klosit si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në 20 gusht të vitit 2024, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të shpallte fituesin për tenderin “Shërbimi i GPS për mjetet motorike te OSSH sh. A” me vlerë 25 milionë lekë ose 25 mijë euro kompaninë “A-T-D-ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” e Nursen Metulit, në një tender pa garë.
Në garë do të merrte pjesë edhe kompania “Vodafone”, e cila do të skualifikohej pasi nuk kishte paraqitur ofertë dhe asnjë dokument tjetër të kërkuar, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e biznesmenit Metuli.
Sipas “Openprocurement.al”, ky tender do të shënohej me flamur të kuq sepse ka indicie për korrupsion dhe favorizim kompanie për përfitimin e fondeve publike.

Por dyshimet nga “Openprocurement.al” nuk ishin thjesht dyshime sepse Metuli e ka fituar tenderin duke qenë ortak me burrin e drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës Kledia Ngjela, Egmont Ngjela i cili disa ditë para nëpërmjet kompanisë ““EURO TECHNOLOGY” rezulton bashkëpronar me kompaninë “A-T-D-ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” të Metulit te kompania “Ucrypt”.
Në këtë rast kemi dyshime të forta për korrupsion dhe favorizim pasi Ceno Klosi është drejtuesi i Kledia Ngjelas, ashtu si edhe Ami Kozeli dhe të dy këta janë respektivisht kryetar dhe anëtar të OSHEE-së, që i ka dhënë tenderin burrit të Drejtoreshës. Sipas ligjit nr .9367, datë 7.4.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”, ky rezulton person i lidhur dhe nuk mund të ushtrojë asnjë aktivitet që lidhet me fushën ku ka ndikim e shoqja. Madje drejtoresha nuk mund të përfitojë fonde publike nga buxheti i shtetit.
Sipas avokatit Arben Llangozi, në rastin konkret kemi konflikt të hapur interesi dhe duhet verifikuar mënyra sesi është fituar ky prokurim publik, mënyra sesi është zbatuar, nëse kemi shkelje ligjore apo jo.
“Në rastin konkret shkelja ligjore është evidente që kemi të bëjmë me një prokurim publik të dhënë në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit“, deklaroi avokati Llangozi.
Por tenderi i OSHEE-së është thjesht një shembull flagrant për të treguar se si shkelet ligji, duke marrë fonde publike nga buxheti i qytetarëve. Në momentin që Egmont Ngjela do të bëhej ortak me Nursen Metuli, ky i fundit do të merrte disa tendera me vlerë të lartë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Vetëm nga tetori 2024 deri në fund të dhjetorit të kaluar, ortaku i burrit të Drejtoreshës së Ballukut, Kledia Ngjela, biznesmeni Nursen Metuli nëpërmjet kompanisë private do të përfitonte 3 tendera me vlerë totale 13 milionë euro nga AKSHI. Konkretisht “A-T-D-ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” shpk ka përfituar tenderat “Përmirësimi i Sistemit Shqiptar të Integruar të Informacionit në Pyje (ALFIS)- për Agjencinë Kombëtare të Pyjeve”, “Ngritja e Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave për Institucionet Shtetërore”, “Implementimi i platformës qeveritare të ndërveprimit 2.0 dhe site sekondare”.
/Emisioni “Vetting”