
Prej disa ditësh, që kur ka nisur denoncimet në lidhje me disa tenderë të mëdhenj, Gazeta Korrieri gjendet nën një sulm të vazhdueshëm në disa drejtime, i cili sipas kompanisë që na mirëmban WEB-in dhe rrjetet sociale, ka synim kryesor bllokimin e punës si edhe marrjen nën kontroll të llogarive tona për të ndaluar vijimin e publikimeve në lidhje me njërën ndër aferat më të mëdha krahas inceneratorëve nëse do të hetohet nga SPAK.
Bëhet fjalë për tenderë dhjetëra miliona euro, që merren nga vetëm një kompani nën ndikimin e një personazhi hije, por që sëfundmi ka dalë në dritë. Korrieri ka zbuluar detaje të papublikuara më parë në lidhje me këtë aferë prandaj edhe duket se po sulmohemi.
Korrieri nuk ka mundur ende të zbulojë burimin fizik të këtij sulmi, pasi skuadra po punon, megjithatë për nga natyra e tij kuptojmë se qëllimi është pikërisht ndalimi i publikimeve për këto tenderë.
Nesër do të bëhet edhe një padi në institucionet përgjegjëse me qëllim gjetjen e personave që po kryejnë një shkelje të tillë ligjore në shërbim të oktapodëve të fondeve publike, por edhe të parave të krimit apo ndërtimit.
Korrieri ka qenë i hapur të përfshijë në shkrime qendrimin apo reagimin e kujtdo që është objekt i raportimeve tona duke dërguar kërkesa për informacion/koment/reagim në çdo rast. Çdokush që ka kthyer përgjigje është përfshirë, ndërsa të tjerë duket se zgjedhin rrugën më të vështirë, atë të porositjes së sulmeve si ky i këtyre ditëve.
Korrieri garanton lexuesit e shumtë si edhe çdokënd që mendon se mund ta na mbyllë gojën në këtë mënyrë, se publikimet tona do të vijojnë edhe sikur të kemi qoftë edhe një faqe të vogël në Facebook.
Faleminderit dhe vijoni të na lexoni!