
“Phishing” është një nga teknikat më të zakonshme të përdorura nga hakerat për të vjedhur të dhënat personale dhe hyrjet në llogari online. Kjo metodë funksionon përmes mashtrimeve digjitale, ku sulmuesit paraqiten si institucione të besueshme, si banka, rrjete sociale apo shërbime të njohura, për të joshur viktimat që të ndajnë informacionin e tyre të ndjeshëm.
Sulmet e “phishing” zakonisht ndodhin përmes email-eve, mesazheve telefonike ose faqeve të internetit të rreme. Ato mund të duken identike me ato të institucioneve reale, duke kërkuar që përdoruesit të klikojnë mbi një link dhe të fusin kredencialet e tyre, të cilat më pas bien në duart e hakerave.
Si të mbroheni nga “phishing”?
• Kontrolloni adresën e email-it dhe linket – Shumë sulme vijnë nga adresa emaili që duken të besueshme, por kanë ndryshime të vogla. Gjithashtu, linket e dërguara mund të çojnë në faqe false.
• Mos klikoni në linke të dyshimta – Nëse merrni një email ose mesazh të dyshimtë që kërkon të dhënat tuaja, shmangni klikimin e linkut dhe kontrolloni faqen zyrtare përmes kërkimit manual.
• Përdorni autentifikimin me dy faktorë (2FA) – Ky mekanizëm shton një shtresë sigurie duke kërkuar një kod shtesë që dërgohet në telefon ose email për të hyrë në llogarinë tuaj.
• Instaloni një program antivirus dhe përditësoni pajisjet – Softuerët e sigurisë mund të zbulojnë faqet dhe skedarët e rrezikshëm, ndërsa përditësimet e sistemit mbyllin dobësitë e sigurisë.
• Jini të kujdesshëm ndaj kërkesave urgjente – Hakerat shpesh përdorin urgjencën për të nxitur viktimat që të reagojnë shpejt pa menduar. Nëse një email pretendon se llogaria juaj do të bllokohet nëse nuk veproni menjëherë, kontrolloni burimin para se të reagoni.
Në një kohë kur sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, njohja dhe shmangia e metodave të tilla është thelbësore për të mbrojtur të dhënat dhe llogaritë personale./korrieri