
“Magjistari” Ergys Agasi , çfarë fshihet pas bilancit të EA Solution , një “case study” për SPAK
Ergys Agasi është një ndër personazhet më të përfolur për momentin në vend, pas Erion Veliajt të arrestuar nga SPAK.
Ai është akuzuar vazhdimisht në publik, ndërkohë që një ndër akuzuesit më të mëdhenj të tij ka qenë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili tashmë ndodhet në Zvicër dhe herë pas here del në TV dhe i jep ndonjë mesazh të koduar ish-shefit të tij, më pritje të ndonjë “deal-i”.
Ahmetaj e ka cilësuar Ergys Agasin si koordinatorin e Ramës me krimin e organizuar, ndërsa djali i ish-zyrtarit të lartë socialist e ka mohuar këtë fakt. Rama ndërkohë nuk është marrë me diçka të tillë, ndërsa mediave u mbetet të verifikojnë tymin e hedhur për të parë nëse fshihet diçka nën të nisur nga fakti se deri më tani gjithçka ka qenë në kuadër të akuzave politike dhe gjysmë politike.
Nisur nga kjo, Gazeta Korrieri verifikoi pozicionin e z.Agasi në raport me njërën prej akuzave që i bëhet, ajo që lidhet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ahmetaj tha se Agasi ka marrë tërësisht kontrollin e AKSHI-it dhe është personi që shpërndan tenderët dhe llokmat e mëdha të shpenzimeve që bëhen për teknologjinë e informacionit në vendin tonë. Një ndër kompanitë që merr pjesën dërrmuese të tenderëve nga AKSHI është pikërisht “Soft& Solution” dhe Gazeta Korrieri ka zbuluar një lidhje mes kompanisë së Ergys Agasit dhe kompanisë në fjalë.
Rezulton se në mars 2023 ai ka regjistruar një kompani me emrin “EA Solution” me NIPT M31516009A që ka në fokus “Zhvillim, implementim dhe mirëmbajtje të sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit” si edhe shërbime të tjera të kësaj natyre.
Pikërisht këtu fillon magjia e tregut të lirë shqiptar.
Nga dokumentet e konsultuara nga Gazeta Korrieri, rezulton se kompania EA Solution është ndoshta e vetmja në Shqipëri që në vetëm 9 muaj të jetës së saj bën një xhiro kolosale prej 2.4 milion eurosh dhe pasqyron një super strategji dhe “mirëmenaxhim” të tillë sa nga këto, 2.3 milion euro deklarohen si fitim para tatimit. Kujdes! Nuk po e lexoni gabim.

As ne të Korrierit nuk kemi bërë ndonjë gabim në shifra. Pra, për çdo 100 lekë xhiro, rezulton se kompania e Ergys Agasit ka realizuar më shumë se 95 lekë fitim!
Kështu shkruhet në bilancin zyrtar që kompania ka dorëzuar me vulën e saj dhe me firmën e Ergys Agasit.
Tregues të tillë mund të shërbejnë si “case study” edhe për prokurorët e SPAK, të cilët duket se kanë nisur të hetojnë në grupin që rrethon Agasin duke marrë në pyetje Orest Sotën.
Ky është një rekord kombëtar, ndoshta edhe botëror dhe vlen vetëm për vitin 2023, pasi bilanci i vitit 2024 nuk është dorëzuar.
Sigurisht, gjithçkush do të ketë kërshëri të njohë shifrat e vitit 2024 dhe nëse magjia vijon, edhe më ndryshimin e adresës së kompanisë, e cila siç mëson Korrieri, është e njëjtë me një tjetër kompani të njohur dhe “magjibërëse”, lubi e tenderëve të AKSHI-t, dhe detajet se çfarë bëjnë këto dy kompani, në një çati apo…zyrë, janë po ashtu shumë interesante. /korrieri