
“Do doja të falënderoja kolegët e SPAK-ut. Isha këtu si bashkëpunëtor. Kisha kohë që kisha kërkuar një takim”. Kështu deklaronte në prill të vitit të kaluar Erjon Veliaj, teksa dilte nga godina e xhamtë e Prokurorisë së Posaçme, ku ishte thirrur për të dhënë shpjegime për aferën e inceneratorit të Tiranës. Atëkohë Veliaj u përpoq t’i dëshmonte publikut se ishte pikërisht ai që kishte vendosur të shkonte në SPAK për të dhënë kontributin e tij në zbardhjen e aferës që ka gllabëruar miliona nga buxheti i shtetit, por fletëthirrja me firmën e prokurorëve të posaçëm, që rrodhi në media, ia rrëzoi atëherë alibinë.
Pavarësisht kësaj, ai inkurajonte Altin Dumanin dhe skuadrën e tij të vazhdonin hetimet për çdo subjekt, përfshirë edhe njerëzit e politikës.
“Ata që janë frikacakë janë ata që nuk shkojnë në SPAK. Unë dua të inkurajoj Altin Dumanin dhe skuadrën e tij: ecni vetëm përpara,” shprehej Veliaj.
Me gjasë, kryebashkiaku as e kishte idenë se ndaj tij Prokuroria e Posaçme kishte regjistruar një hetim penal mbi bazën e një kallëzimi nga personi i vetëidentifikuar si Nesti Angoni.
Ai përpiqej të shfaqej në publik si politikani i një modeli ndryshe, që mbështeste SPAK-un për të ndëshkuar politikanët e korruptuar dhe që ishte i gatshëm edhe vetë të hetohej. Madje, me zë të lartë thoshte se ishte bashkëpunëtor i “kolegëve” të SPAK.
Por, sapo prokurorët filluan të gërvishtnin mbi jetën e tij, Erjon Veliaj shfaqi një tjetër fytyrë — atë të politikanit të “vjetër”, të dyshuar për përfshirje në korrupsion e pastrim parash dhe që në çdo rast sulmojnë drejtësinë.
Kur u pyet për herë të dytë në SPAK për kallëzimin e Nesti Angonit, Veliaj doli krejt i nxirë në fytyrë. Ai u largua me urgjencë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se prokuroria po përdorte metoda të Sigurimit.
Pikërisht pas marrjes në pyetje në dhjetor 2024, Erjon Veliaj filloi të shfaqte fytyrën e tij të vërtetë: atë të njeriut të pushtetshëm që tenton të kontrollojë drejtësinë. Kur përpjekjet e tij për të ndalur hetimin nuk rezultuan të suksesshme dhe kryebashkiaku përfundoi në pranga, nisën edhe sulmet ndaj prokurorit të posaçëm. Ai e etiketoi Ols Dadon si “përvers”, “lunatik”, “prokuror i dalë nga komunizmi”, “violinist i dështuar”.
Akuzat ndaj Dados çdo ditë bëhen më të forta. Veliaj nga qelia e burgut ku mbahet nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash dhe Edi Rama nga zyra e tij në Kryeministri nuk duket se do të ndalojnë së sulmuari strukturën e posaçme. Në ndihmë u kanë ardhur dhe socialistë apo disa media.
Tashmë mbetet fakt se me firmën e dy prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Ols Dado, karriera e Erjon Veliajt është ndërprerë ndërsa Partisë Socialiste i është goditur “lokomotiva” e votave në kryeqytet. Të paktën kështu e cilësonte kryeministri kryetarin e Bashkisë vetëm një javë më parë. E ndërsa kjo luftë pritet të bëhet çdo ditë e më e ashpër, pyetja që vjen natyrshëm është: Cilit Erjon Veliaj t’i besojmë? Atij që inkurajon “kolegët” e SPAK, apo atij që kërcënon dhe shantazhon prokurorët e posaçëm?