Investigimi i Gazeta Korrieri konfirmon se Air Albania ende pa bilanc është e falimentuar “de facto”, por ende “de jure”, drejtor Sinani më shumë në Stamboll dhe Tiranë, kontrolli me celular dhe harbimet që po u kushtojnë shqiptarëve miliona
Kompania Air Albania duket të jetë shembulli tipik i bizneseve që ngrihen mbi tekat dhe interesat direkte të liderëve dhe oligarkëve përreth tyre se sa mbi rregullat bazë të biznesit dhe ligjin “qiellor” të kërkesës dhe ofertës.
Gazeta Korrieri mëson se kompania ka katër vite tashmë që nuk dorëzon bilancin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), situatë e cila nga çdo ekonomist me njohje bazike të ligjit do të lexohej si falimenti i një kompanie.
Por, Air Albania vijon të bëjë sikur punon pa shpallur falimentin dhe pa deklaruar bilancin edhe pse burime nga brenda kompanisë bëjnë me dije se tashmë prej shumë muajsh kompania është duke ezauruar edhe kapitalin e aksionerëve që janë shteti shqiptar, biznesmeni shqiptaro-turk Sinan Idrizi dhe shteti turk përmes Kompanise THY.
Burime bëjnë me dije se kompania është praktikisht e falimentuar, jo rentabël që prej ditës së parë të fluturimit dhe nuk dihet se sa do të vijohet me përdorimin e kapitalit, i cili tashmë është në “frymën” e fundit.
Air Albania mbylli vitin 2018 me 120 milionë lekë humbje, por ato janë të dhëna të vitit të parë të operimit të shkurtër të kompanisë dhe nuk pasqyrojnë në fakt realitetin e gropës së madhe.
Ky është në fakt edhe viti i fundit kur kompania ka dorëzuar bilanc dhe që prej atëhere nuk dihet më se çfarë ndodh me të, ku shkojnë paratë e biletave, sa kushton operimi, sa janë kostot dhe në çfarë periodiciteti bëhet mirëmbajtja e avionëve.
Ylli Manjani, ish-ministër drejtësie dhe njohës i mirë i ligjeve tregonte më herët përmes një statusi në Facebook se një kompani që nuk dorëzon bilanc është e falimentuar. Një vit më parë, QKB pezulloi kompaninë Air Albania pasi nuk kishte deklaruar pronarët përfitues të saj.
Atëhere, ministrja Balluku tha se bilancet do të dorëzoheshin brenda ditës dhe se deklarimi do të bëhej, por u bë një vit dhe kompania nuk ka dorëzuar ende asgjë.
Flota e mangët dhe fiksimet e drejtor Sinanit
Fakti që është e falimentuar tashmë konfirmohet edhe nga performance e dobët e kompanisë Air Albania në drejtim të destinacioneve dhe flotës së avionëve.
Kryeministri Rama deklaroi disa vite më parë se Air Albania do të kryente fluturime Tiranë-New York. Kjo nuk ndodhi kurrë! Madje, me flotën pre tre avionësh që ka Air Albania tani nuk mundet t’i afrohet oqeanit e jo më ta kalojë atë.
Air Albania është ndoshta kompania unike në botë që nuk ka të deklaruar flotën e saj të avionëve, por nga të dhënat e siguruara nga Gazeta Korrieri, rezulton se në flotë është një Airbus A319 dhe dy Airbus A320 të vjetër.
Të vetmit me kapacitet pak më të madh dhe që mund të fluturojnë pak më larg janë “Naimi” dhe “Fishta”, pra avionët “Airbus A320”, por as që mund të mendohet që të kalojë oqeanin.
Për të bërë këtë, Air Albania-s i duhet të paktën një Airbus A330 ose ndonjë Boeing 757 (avionë më të mëdhenj), por kjo mbetet në kuadër të imagjinatës tashmë që kompania cilësohet e falimentuar “de facto”.
Harbimet e drejtorëve dhe skllavërimi i stafit
Deri më tani Air Albania është parë si një kompani për t’u vjelë nga top-managementi, të cilët kanë caktuar paga faraonike për vete duke keqpaguar ndërkohë stafin e shërbimit, të cilët përballen çdo ditë me pakënaqësitë e udhëtarëve.
Gazeta Korrieri posedon një numër dëshmish nga stafi i brendshëshm që konfirmojnë se gjendja është bërë e padurueshme me turqit që sillen si “bejlerë” ndaj stafit të keqpaguar shqiptar.
Administratori Sinan Dilek, një turk Anadolli i besuar i menaxherëve të THY, njihet në Tiranë për shijet e tij të çuditshme të luksit dhe jo vetëm.
Korrieri mëson se më shumë rri në Stamboll se në Tiranë ku edhe ka kompaninë që duhet të drejtojë duke komanduar me celular.
Në profilin e tij në Facebook, Sinan Dilek thotë se ka qenë edhe punonjë dyqani në një prej pazareve të Stambollit, ndërsa nuk e fsheh që është pjestar i rrjeteve të islamike në Turqi. /Gazeta Korrieri
VIJON…
Në vijim do të lexoni: Veprimet e paligjshme të drejtuesve të kompanisë, një raport sekret mbi harbimet pa limite, shpenzimet për netë qejfi; thirrjet në Facebook për prerje kokash nga Drejtori Sinan Dilec, etj.
Po ashtu: Si dhe pse u zhduk Migjeni? Ku ndodhet tani avioni që u prezantua me bujë nga Rama? Të pathënat e flotës së avionëve që përdor Air Albania.
NDALOHET RIPUBLIKIMI PA CITUAR ME LINK SIPAS RREGULLAVE NË FUQI!